Lajme

Veprimet e Qeverisë në veri, Lajçak: Nxitën vërejtje të ndërkombëtarëve e frustrim të komunitetit lokal

10/05/2024 07:16
nga:Y I

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka komentuar veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit për të shtrirë sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit.

Ai tha se “të gjithë” janë për sundim të ligjit, por tha se kjo u bë në atë mënyrë që nxiti kundërshtim nga ndërkombëtarët e zhgënjim nga komuniteti vendës.

“Ne shohim përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit, por për fat të keq, është bërë në atë mënyrë që nxitën vërejtje nga bashkësia ndërkombëtare dhe frustrim nga komuniteti vendës. Prandaj edhe kemi më shumë tensione”, tha Lajçak.

Ai iu referua veprimeve rishtazi të autoriteteve kosovare për mbylljen e institucioneve paralele serbe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Unë shtroj pyetjen: cila është alternativa për këtë konfrontim, tension? Kujt i sjell dobi? Sigurisht që jo qytetarëve, e as Kosovës, Serbisë e rajonit. Pra, ne e dimë se çfarë duhet bërë, dhe tani pyetja është: pse të mos e bëjmë këtë?”, tha ai.

Lajçak këto deklarata i bëri duke folur të premten në forumin 2BS në Budvë të Malit të Zi ku ndër të tjera tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon, sepse, sipas tij, ato ndikojnë në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin europian.

Për Marrëveshjen e Ohrit, Lajçak tha se nuk ka përparim të dukshëm në zbatimin e saj edhe 18 muaj më vonë nga Kosova dhe Serbia.

Për përparim në drejtim të zbatimit të saj, emisari europian tha se nuk mund të pritet para zgjedhjeve.

“Në Kosovë po vijnë zgjedhjet dhe nga përvoja politike e di se rrallë mund të priten ndryshime të mëdha para zgjedhjeve”.

“Por, ne po përgatisim terrenin për përparim të shpejtë menjëherë pas zgjedhjeve”, shtoi ai./Express/