Lajme

Ish-ministri Gashi për shpërthimet në veri- Luftë hibride e Serbisë për ta ruajtur praninë e saj në ato komuna!

10/03/2024 19:18
nga:Y I

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi ka thënë se incidentet e përsëritura në veri, janë forma të luftës hibride që po përdor Serbia për të frikësuar qytetarët dhe për ta ruajtur praninë në komunat veriore.

Një shpërthim ka ndodhur në Zubin Potok të mërkurën mbrëma, rreth orës 23:30, ku zjarri më pas ka përfshirë një ndërtesë të papërfunduar dhe të pabanuar.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka thënë se kjo është luftë hibride e Serbisë për të frikësuar qytetarët në veri.

“Serbia përdor forma të ndryshme të luftës hibride për ta ruajtur praninë e saj në ato komuna dhe të njëjtën kohë për të ndërkombëtarizuar çështjen e pakicës serbe në ato komuna dhe për të reaguar në aspektin diplomatik ndaj institucioneve ndërkombëtare të pranishme atje”, ka thënë Gashi në emisionin “FIVE” të RTV Dukagjini.

Gashi thotë se incidentet e përsëritura janë shqetësuese, pasi sipas tij target janë qytetarët që janë besnik ndaj institucioneve të Kosovës.

“Është Incidenti i tretë në këtë komunë. Është shqetësim për faktin që janë target qytetarët që janë lojalë ndaj institucioneve të Kosovës. E në këtë drejtim është mesazh i dyfishtë. Mesazhi i parë është që të gjithë ata që bashkëpunojnë me Institucionet e Kosovës, se në të ardhmen do jenë në rrezik nga këto grupe të financuara nga Serbia. Dhe mesazhi ndaj bashkësisë ndërkombëtare që përkundër koncentrimit të madh policor në ato komuna shkalla e sigurisë nuk është në nivelin që duhet të jetë”, tha Gashi.