Lajme

Bajqinovci: Akuzat e PDK-së për shkelje të Kushtetutës, përpjekje për të devijuar vëmendjen nga progresi real!

10/03/2024 17:55
nga:Y I

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka goditur Qeverinë duke thënë se dhjetë herë e kanë shkelur Kushtetuesen, dhe as ‘qerpiku nuk iu trembet’.

Në lidhje me këtë deklaratë të Krasniqit kanë reaguar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i këtij subjekti politik, Mefail Bajqinovci, tha për “Gazeta Blic” se akuzat e PDK-së për shkelje të Kushtetutës janë përpjekje për të devijuar vëmendjen nga progresi real që ka ndodhur.

“Arritjet e qeverisë Kurti në fusha të ndryshme si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në arsim, shëndetësi dhe ekonomi, duke theksuar që akuzat e PDK-së per shkelje te kushtetutes janë thjesht përpjekje për të devijuar vëmendjen nga progresi real që ka ndodhur.Veprimet tona gjithmonë synojnë përmirësimin e situatës së përgjithshme në vend dhe përforcimin e institucioneve shtetërore” tha Bajqinovci për “Gazeta Blic”.

Ai tutje deklaroi se qeverisja e PDK-së ishte plot korrupsion dhe dështime dhe se një gjë të tillë sipas tij e thonë edhe raportet ndërkombëtare.

“Qeverisja e PDK-s, ishte plot korrupsion, plot dështime qeverisëse si dhe duke shkelur rregullat demokratike kur kjo parti ishte në pushtet. Këtë e thonë të gjitha raportet ndërkombëtare.Qeverisja e PDK-së njihet si qeveri ku theheshin dhomat e dëshmive në polici të Kosovës, e deri tek skandalet me tendera” deklaroi ai.

Bajqinovci u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje është e fokusuar në reforma të mirfillta.

“Vetëvendosje është e fokusuar në reforma të mirëfillta dhe progresive për të mirën e Kosovës” tha Bajqinovci në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Krasniqi deklaroi mbrëmë se edhe pse pagat në sektorin publik kanë dalë, por jo me kohë, duke shtuar dyshimet se ekzekutimi i tyre mund të jetë ilegal.

“Ligji që kjo qeveri e ka miratu, e shtron këtë çështje, sepse neni përkatës nuk e lejon një pozicion me qenë i udhëhequr nga një ushtrues detyre për më shumë se 12 muaj, nuk kanë mujt me zgjedh drejtorin për Thesarin për dy orë.Ai që ka qenë ushtrues detyre jo se jo. Kjo qeveri për ligje dhe kushtetutë nuk mërzitet. 10 raste i kemi qu në Kushtetuese dhe të gjitha i kemi fitu. Kurrë nuk kom besu që mundet Kosova me pas një qeveri që dy herë e shkel Kushtetuesen. 10 herë e kanë shkel kushtetutën dhe qerpiku nuk iu trembet”, tha Krasniqi në rtv21.tv.

/Gazeta Blic/

Krasniqi godet Qeverinë: Dhjetë herë e kanë shkel Kushtetutën, qerpiku nuk iu trembet