Lajme

Rritje e numrit të rasteve me kancer të gjirit/ Drejtori i Onkologjisë: 1500 raste për nëntë muaj, mes tyre tre meshkuj

10/03/2024 15:16
nga:N K

Tetori, muaji i njohur si “Tetori Rozë”, është një periudhë e rëndësishme për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit.

Ky muaj synon të informojë dhe edukojë publikun egjërë rreth rrezikut që paraqet ky lloj i kancerit, si dhe rëndësinë e ekzaminimeve të hershme.

Në lidhje me këtë, Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi bëri të ditur për GazetaBlic, se gjatë këtyre nëntë muajve janë diagnostikuar 1500 raste të reja me kancer të gjirit, duke shënuar një rritje me rreth 5 deri në 7% krahasuar me vitin e kaluar.

“Ne regjistrojmë raste të gjitha rastet që lajmërohen në Klinikën e Onkologjisë dhe për këtë kemi regjistruar në nëtë muajt e parë 1500 raste të reja, që i bjen një numër pak më i rritur se vitin e kaluar edhe pse kemi pasur disa periudha ose disa muaj që kanë lëvizur këto shifra. D.m.th, kur kemi regjistruar në krahasim me vitin paraprak rreth 12% më shumë, më pastaj një numër i njëjtë. Pra, një mesatare del që 5-7% është më shumë në krahasim me vitin e kaluar dhe kjo vazhdon të ngelet edhe në muajin e fundit”, potencoi Kurtishi.

Ky trend alarmant tregon një rritje të vazhdueshme të sëmundjeve të onkonologjisë, veçanërisht tek gratë mbi moshën 50 vjeçare, ku kanceri i gjirit është më i zakonshmi.

Personat më të atakuar me këtë sëmundje janë personat mbi moshën 50 vjet, është piku i parë, më pastaj 60 deri në 65 vjeç. Ajo çka mbetet shqetësuese te ne, është se kemi raste të reja ose kemi persona nën moshën 50 vjeçare me kancer të formave të ndryshme. Kanceri i gjirit më dominant është tek gratë”, tha ai.

E, këtë sëmundje nuk lë anash pa prekur edhe gjininë mashkullore (burrat), ani pse numri më i madh që diagnostikohen me këtë janë gjinia femërore ose gratë.

Vetëm gjatë këtyre muajve në vendin tonë janë prekur tre burra, në krahasim me vitin e kaluar ishin pesë.

“Vitin e kaluar me kancer të gjirit tek meshkujt kemi identifikuar pesë burra, kurse këtë vit kemi tre burra. Pra, numri po mbetet gati i njëjtë, kjo përkon me numrin e rasteve të kancerit të gjirit tek femrat sepse tek 100 femra me kancer lajmërohet një mashkull”, deklaroi drejtori.

I pyetur se a rritet nga viti në vit numri i rasteve me kancer, Kurtishi thekson se për çdo vit tjetër numri mesatarisht ka shkuar mbi 10% në rritje, që sipas tij është një trend i rritjes.

Onkologu potencon se kanceri është një sëmundje multifaktoriale, e cila lidhet me faktorë mjedisor dhe gjenetik.

Ai gjithashtu nënvizon rëndësinë e ekzaminimeve të rregullta për gratë, duke rekomanduar kontrolle pas moshës 40-45 vjeçare, për të identifikuar herët ndonjë shenjë të mundshme të kësaj sëmundje.

“Është mirë që gratë dhe femrat pas moshët 40 vjeçare, konkretisht pas moshës 45 vjeçare me rekomandime të fundit të bëjnë kontrolla të shpeshta që i bie së paku një herë në vit ose një herë në dy vite pa pasur shenja të sëmundjes, pa pasë shenja të deformitetit të gjirit ose shenja të dukshme”, u shpreh ai.

“Një prej shenjave që është determinate ose që e shtyn pacientin te mjeku është një gungë në gji për shembull e fortë e cila mund të përcizojë me disa muaj dhe pacienti të shkojë të bëjë ekzaminim”, tha Kurtishi duke inkorajuar ata që vërejnë këto simptoma të kërkojnë ndihmë mjeksore pa vonesa.

Shih intervistën e plotë:

 

/GazetaBlic/