Lajme

Haradinaj: Qasja vetizoluese e Qeverisë ka bërë që Kosova të përjashtohet nga harta e investimeve të jashtme, duhet ndryshim urgjent

10/02/2024 12:08
nga:Sh R

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se me qasjen vetizoluese të Qeverisë, Kosova është përjashtuar nga harta e investimeve të jashtme.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se këtë e ka theksuar edhe i Dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i cili tha se shumë investitorë po i drejtohen shteteve të rajonit.

“Gjermania ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fortë në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe një ndër partnerët tanë kryesorë. Për fat të keq, me qasjen vet-izoluese të Qeverisë së Kosovës, vendi ynë është përjashtuar nga harta e investimeve të jashtme. Këtë e theksoi edhe i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin, në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku konfirmoi shqetësimin tonë se shumë investitorë po i drejtohen shteteve të tjera të rajonit”, shkroi ai.

Sipas Haradinajt, vetizolimi i Kosovës po sjellë jo vetëm dëme politike, por edhe ekonomike.

Ai thekson se Kosovës i duhet ndryshim urgjent, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit.

“Vet-izolimi i Kosovës po na sjell jo vetëm dëme politike, por edhe dëme të mëdha ekonomike. Kjo po reflektohet qartë në largimin masiv të fuqisë punëtore dhe mungesën e vendeve të reja të punës për shkak të mungesës së investimeve.

Kosovës i duhet ndryshim urgjent, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit. Ne kemi potencial në inovacion dhe zhvillim, por për të përfituar nga ky potencial, na duhet një mentalitet i ri qeverisës”, shtoi më tej Haradinaj.