Lajme

Haziri ‘tallet’ me takimet e Kurtit në ShBA: Po sillet sipas parimit “Fjalët e mëdha, punët si të vijnë”

09/30/2024 19:11
nga:G C

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar Kryeministrin Albin Kurti për prioritetet e tij në takimet ndërkombëtare, duke theksuar se ai ka takuar më shumë kryetarë komunash në Shtetet e Bashkuara se sa në Kosovë.

Haziri në një përgjigje për GazetaBlic, e vlerësoi këtë si një humbje kohe, sidomos gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të OKB-së, ku përfaqësuese e Kosovës është Presidentja Vjosa Osmani.

Haziri theksoi se, për dallim nga vitet e kaluara, Kurti këtë vit nuk është pjesë e delegacionit të presidentes, duke nënkuptuar se mungesa e tij në takimet e nivelit të lartë është një tregues i dështimit.

“Kryeministri Kurti më shumë ka takuar kryetarë komunash në SHBA sesa kryetarët e komunave të Kosovës, njësoj siç ka bërë nga vizita në Turqi. Pa asnjë arsye, ai po humb kohë në New York gjatë punimeve vjetore të Asamblesë Parlamentare të OKB-së, sepse përfaqësuese e Kosovës është Presidentja e Kosovës. Këtë vit, për dallim nga e kaluara, ai nuk është pjesë e delegacionit të saj”, tha Haziri.

Ai sugjeroi se, për shkak të kësaj, Kryeministri duhet të improvizojë agjendën e tij përmes konsulatës së Kosovës në New York, duke organizuar takime me komunitetin dhe shoqata të kryetarëve të qyteteve për të fituar mbështetje.

“Kur nuk ke mundësi dhe çasje në takimet e nivelit që kryeministrat e vendeve të tjera i kanë, atëherë duhet të improvizohet agjenda përmes konsulatës së Republikës së Kosovës në New York, për takime me komunitetin dhe shoqata të kryetarëve të qyteteve në margjinat e ngjarjeve, për fjalë të mëdha dhe për të fituar ndonjë çelës qyteti apo ndonjë votë nga diasporën”, shtoi ai.

Ai theksoi se Kurti po përpiqet të krijojë iluzionin se ka marrëdhënie të mira me administratën amerikane, ndërkohë që amerikanët vetë thonë se kanë mirë punët me popullin e Kosovës, por jo me qeverinë.

Haziri gjithashtu e përmendi kthimin e Presidentes Osmani nga samiti, ku ajo sjell një mesazh të rëndësishëm nga Presidenti Biden, ndërsa Kurti merr një çelës nga kryetari i qytetit Waterbury. “Ai po sillet sipas parimit: Fjalët e mëdha, punët si të vijnë!” përfundoi Haziri.

“Kurti po i ngjan vetvetes si i vetmi kryeministër që 19 ditë ka qëndruar në vizita jashtë Kosovës pa agjendë e arsye. Arsyeja e tij e dytë është të shesë popullit mjegullën se “i ka punët në vijë me politikën e administratës amerikane”, në kohën kur amerikanët deklarojnë se i kanë mirë punët me popullin e Kosovës, por jo me qeverinë e Kosovës, dhe veçanërisht me liderësinë e saj”, tha Haziri.

“Vjosa Osmani po kthehet nga samiti me takime, që përveç tjerash sjellin foton dhe mesazhin e Presidentit Biden, ndërsa Kurti takohet me kryetarin e qytetit Waterbury dhe merr çelësin e qytetit. Ai po sillet sipas parimit: “Fjalët e mëdha, punët si të vijnë!”, përfundon ai për GazetaBlic.

EULEX thotë se situata e sigurisë në Veri vazhdon të jetë e brishtë

Jabllanoviq: Lista Serbe mundet t’i bojkotojë zgjedhjet, Rashiç është satelit i VV’së, nuk do të votohet nga serbët

Kastrati: Ata që sot e mbështesin Kurtin verbërisht, shumë shpejt do të turpërohen nga emri i tij!

Humolli për takimet e Kurtit në ShBA: VV’ja, në rrugën e partive që s’i besojnë popullit