Lajme

Krasniqi: Fuqizimi i grave në vendimmarrje, të jetë prioritet në Kosovë dhe Shqipëri

09/30/2024 18:07
nga:G C

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, dhe Kryetaren e Komisionit për Integrim Evropian, Jorida Tabaku, ku u diskutua për fuqizimin e grave në vendimmarrje, raporton GazetaBlic.

Krasniqi theksoi rëndësinë e pranisë së grave në politikë si një tregues të progresit të bërë nga Kosova dhe Shqipëria. Ajo theksoi se angazhimi duhet të vazhdojë për të avancuar pozitën e gruas dhe për të inkurajuar vajzat e reja që të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes.

Deputetja kërkoi që buxheti i Republikës së Kosovës të reflektojë aspektet gjinore, duke kontribuar në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ajo shprehu falënderime për UN Women Kosovo për organizimin e këtij eventi, i cili kishte në fokus buxhetimin gjinor si një mjet thelbësor për avancimin e pozitës së grave.

Ky diskutim vjen si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë për të gjitha gratë.

E plotë:

FUQIZIMI I GRAVE NË VENDIMMARRJE TË JETË PRIORITET NË KOSOVË DHE SHQIPËRI

Me znj. Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit për Integrim Evropian kolegët deputetë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës diskutuam për fuqizimin e grave në vendimmarrje dhe shkëmbyem përvojat në këtë drejtim.

Potencova se prania e një grupi të konsiderueshëm të grave deputete sot këtu, është dëshmi e progresit që Kosova dhe Shqipëria kanë bërë në këtë drejtim. Mirëpo nuk duhet ndalur dhe duhet vazhduar përpjekjet për avancim të pozitës së gruas dhe të shërbejmë si shembull për vajzat e reja që të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

Në veçanti, ne si deputetë duhet të sigurojmë që buxheti i Republikës së Kosovës të miratohet duke marrë parasysh aspektet gjinore në secilën kategori si dhe përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm.

Falenderoj UN Women Kosovo për organizimin e këtij eventi me fokus në buxhetimin gjinor si mjet për avancim të pozitës së gruas.