Lajme

‘Falja e gjobave’, Rrusta: Konjufca e ka refuzuar, vetëm sepse atë e kishte marrë përsipër PSD

09/30/2024 15:47
nga:N K

Partia Socialdemokratike e Kosovës, qysh në vitin 2021 pati dorëzuar një peticion në Kuvendin e Kosovës, me nënshkrimin e mbi 10 mijë qytetarëve.

Synimi i këtij peticioni kishte të bëjë me faljen e gjobave të qytetarëve të cilët kanë marrë gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Ani pse, aso kohe është kërkuar nga anëtari i kësaj partie Nol Nushi që të hyjë në mënyrë urgjente në Kuvendin e Kosovës, ky projektligj ende nuk është proceduar.

Në lidhje me këtë çështje është prononcuar për GazetaBlic, sekretarja e Partisë Social Demokratike të Kosovës, Teutë Rrusta.

Rrusta është shprehur shqetësuese mbi ‘refuzimin’ e Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ajo thotë se , Konjufca e ka refuzuar këtë mundësi për shkak se peticioni është marrë përsipër nga PSD, duke theksuar se pjesëmarrja e këtij peticioni do të krijonte precedan.

“Kryetari Konjufca, duke u ngushtuar në luftimen politike, ka refuzuar që peticioni ‘për faljen e gjobave të pandemisë’, të përfaqësohet përmes oranizatorëve të peticionit, vetëm dhe vetëm sepse atë e kishte marrur përsipër PSD. Nuk ka dilemë përmotivet e z.Konjufca. Madje kishte thënë një koment të tipit që nuk mund ta lejojnë pjesëmarrjen e PSD-së sepse kjo do të përbënte precedan.

E ç’të keqe ka kjo? Në vend se përfaqësimi i kauzave në Kuvend, përmes qytetarëve të shnërrohet në normativë, ai sheh rrezik nga kjo”, u shpreh sekretarja e PSD-së.

Rrusta rikujton se rregullorja e Kuvendit e parasheh një gjë të tillë, dhe se sipas saj Kuvendi i Kosovës secilën herë është duke u mbyllur, bunkerizuar dhe burokratizuar, dhe se një gjë e tillë e dekurajon instrumentin e peticionit.

Rregullorja e Kuvendit parasheh që iniciativa e qytetarëve, përmes peticioneve të mbrohen në Kuvend përmes një përfaqësuesi të iniciativës. Dhe vetëm si zgjedhje e dytë, në rast se përfaqësuesit e peticionit refuzojnë të marrin pjesë në seancën përkatëse, atëhere ajo t’i autorizohet një deputeti. Të paktën ky është interpretimi që shkon në frymën e vetë idesë së peticionit, si mjet demokratik me të cilën qytetarët avancojnë nevojat e tyre duke u përfshirë aktivisht. Kuvendi përherë e më shumë është duke u mbyllur, bunkerizuar dhe burokratizuar. Kjo dekurajon instrumentin e peticionit”, tha ajo.

Tutje, ajo shton se Partia Socialdemokratike nuk është duke kërkuar asgjë më shumë sesa Kuvendi të kryej funksionin e saj demokratik, që nga ana e saj me këtë gjë është duke u cenuar ky themel.

“Kërkesat tona janë të qarta dhe demokratike. Dhe nuk po kerkojmë asgjë më shumë sesa Kuvendi ta kryej funksionin e saj demokratik. Kosova është Republikë Parlamentare, por me qasjen e tanishme po cenohet seriozisht ky themel”, potencoi sekretarja.

Vlen të cekët se kohës së fundit janë dorëzuar edhe tri peticione të tjera në Kuvendin e Kosovës.

Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes është dorëzuar peticioni i nënshkruar rreth 13 mijë qytetarëve për parandalimin e vetëvrasjes.

Më pastaj, në mes të shtatorit të këtij viti u dorëzua edhe peticioni për “Shpëtimin e Arsimit”, me mbi 12 mijë nënshkrime të mbledhura për gjashtë muaj.

Si dhe peticioni i fundit (gjatë ditës së sotme), u dorëzua nga SBAShK-u peticioni për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale me rreth 20 mijë nënshkrime.

/GazetaBlic/