Sporti

Portieri Amir Saipi e zgjedh Kosovën

09/30/2024 13:41
nga:E K

Amir Saipi e ka bërë zgjedhjen definitive.

Do ta veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës, e cila po e ndjek qe një kohë dhe që e ka ftuar për ndeshjet e tetorit.

Për këtë siguron mediumi “Corriere del Ticino”.

Pra, portieri shqiptar hoqi dorë nga Zvicra, ku ishte pjesë e ekipit U-21.

Portieri i lindur në Lugano kishte marrë pjesë me “Helvetikët” e rinj madje edhe në Kampionat Evropian.

Madje, edhe selektori i Kombëtares A, selektori Murat Yakin e kishte përfshirë në listën e pritjes.

Konkurrenca enorme mes dy shtyllave ka bërë që ai të mendojë mirë dhe ta zgjedh Kosovën, ku do të ketë më shumë mundësi për të mbrojtur.

Kosova mund ta marrë Saipin për ndeshjet e tetorit ndaj Lituanisë dhe Qipros në Ligën e Kombeve, mbi të gjitha duke e pasur parasysh paqartësinë që është shkaktuar pas përjashtimit të Arjanet Muriçit, i cili nuk dihet ende nëse do të jetë pjesë e Dardanëve apo jo në ndeshjet e muajit që po vjen.