Lajme

Pacolli në takim me miliarderin e njohur, Zyberaj e tregon çelësin e suksesit të tij

09/29/2024 18:29
nga:G C

Këshilltari politik i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj ka dhënë detaje për një fotografi që ka qarkulluar ku shihet kryetari i AKR-së, duke biseduar me Jack Ma, miliarderin e njohur, bashkëthemelues i “Alibaba Group”, tashmë një prej dyqaneve më të mëdha online.

Zyberaj thotë se Pacolli vazhdon të demonstrojë ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në skenën globale.

“Gjatë javës së fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Presidenti Pacolli u takua me një nga sipërmarrësit më të shquar në botë, Jack Ma, themeluesi vizionar i Alibaba me të cilin njihet shumë kohë më parë.

Ky takim, së bashku me ndërveprimet e tij me liderë të ndryshëm politikë, është një dëshmi e aftësisë së jashtëzakonshme të Presidentit Pacolli për të krijuar lidhje që tejkalojnë kufijtë gjeografikë dhe politikë”.

Sipas Zyberajt është i pakrahasueshëm reputacioni i Pacollit dhe se suksesi i tij i ka sjell respekt në mbarë kontinentet.

“Reputacioni i Presidentit Pacolli si një figurë në botën e biznesit dhe diplomacisë është i pakrahasueshëm, veçanërisht për dikë që vjen nga një vend i vogël si Kosova. Suksesi i tij i ka sjellë atij respekt në mbarë kontinentet. Rrjeti i tij global përfshin figura të shquara në biznes, politikë dhe filantropi, duke treguar aftësinë e tij unike për të përfaqësuar Kosovën në skenën ndërkombëtare, shpesh në rrethe që janë të vështira për t’u arritur për përfaqësuesit e kombeve të vogla”.

Përkushtimi i palëkundur për të promovuar interesat e Kosovës globalisht e dallon Pacollin nga tjerët, thotë Zyberaj,

“Ajo që e dallon Presidentin Pacollin është përkushtimi i tij i palëkundur për të promovuar interesat e Kosovës globalisht, duke përdorur lidhjet e tij të gjera për të hapur dyer që përndryshe do të mbeteshin të mbyllura. Marrëdhënia e tij me liderë globalë dhe gjigantë të biznesit si Jack Ma është një rikujtim i fuqishëm e ndikimit të tij dhe respektit që gëzon ndërkombëtarisht.

Në një botë ku vendet e vogla shpesh kanë vështirësi të dëgjohen, Presidenti Pacolli ka provuar se vendosmëria, vizioni dhe sinqeritrti mund të thyejnë barriera, duke e pozicionuar Kosovën si një vend me lidhje dhe ambicie të forta globale”.