Lajme

Enver Hajdari rizgjidhet edhe për një mandat si kreu i OVL-së në Drenas

09/28/2024 16:57
nga:Sh R

Enver Hajdari është rizgjedhur edhe për një mandat për drejtimin e Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Drenas.

Kjo u bë e ditur nga vetë Hajdari përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se tash e tutje ai “do të jetë zëri i kategorisë që më së forti i dha lirisë, e më së paku mori prej saj”.

“Sot, ata që qenë të gatshëm me jetën e tyre t’i shërbejnë atdheut në radhët e lavdishme të UÇK-së, më besuan edhe me votën e tyre, qe edhe për 4 vitet e ardhshme do të kem nderin ta drejtoj OVL-në e UÇK-së në Drenas. Jam thellësisht mirënjohës e falenderues për nderin e jetës që të jem zëri i kategorisë që më së forti i dha lirisë, e më së paku mori prej saj.I falenderoj edhe përfaqësuesit e selisë qendrore në Prishtinë, kontributi i të cilëve ishte i pazëvendësueshëm në mbarëvajtjen e këtij kuvendi, për kujdesin e treguar që kuvendi të jetë demokratik e që zëri i veteranit të UÇK-së të dëgjohet”, ka shkruar Hajdari.

Njëherit, Hajdari ka thënë se Kosova është e të gjithëve, prandaj sipas tij, veteranëve u duhet trajtim dinjitoz.