Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për takimet që ka zhvilluar dje në New York, në ditën e tretë të vizitës atje.
Postimin e ka nisur me takimin që pati me Ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, me të cilët ka thënë se ka pasur biseda produktive.
Diskutimet mes tyre u përqendruan në dialog dhe Procesin e Berlinit.
Kurti tha mbrëmë se gjatë takimit ka theksuar nevojën e nënshkrimit dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
“Diskutuam për dialogun si dhe bashkëpunimin rajonal përpara 10 vjetorit të procesit të Berlinit. Gjatë bisedës sonë, theksova nevojën e nënshkrimit dhe zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj si mjet i domosdoshëm për progres. Rikonfirmova gjithashtu përkushtimin e vendit tonë për bashkëpunim, prosperitet të rajonit, të drejta të barabarta dhe mbrojtje të fuqishme të të drejtave të njeriut dhe një shoqëri shumëetnike të lulëzuar”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në platformën “X”.
Për takimin lëshoi njoftim edhe Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri ndër të tjera theksoi së Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar maksimalisht edhe në vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj pa dallim dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë në të cilin respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ligjit i Republikës.
Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë”, u tha në njoftim.
Kurti është takuar dje edhe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin, Kryeministrin e Grenadës, Dickon Mitchell, dhe Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.