Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku Kampionatin Evropian të U-21 për meshkuj në vitin 2027.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press“.
UEFA deklaroi të enjten se vetëm oferta Serbi-Shqipëri përmbushi një afat të fundit këtë javë për të paraqitur planet e detajuara të turneut, raporton AP-ja.
Komentatori i njohur shqiptar, Dritan Shakohoxha, në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, ka reaguar ashpër, duke thënë se ky organizim është një turp i madh.
Ai shtoi se kjo gjë po bëhet vetëm për interesa personale dhe asgjë tjetër, sepse nuk ka asnjë motiv tjetër për të ndodhur kjo gjë mes këtyre dy shteteve.
“Kushdo që e ka bërë këtë gjë, e ka bërë për interesa personale. Nuk ka asnjë motiv tjetër që Shqipëria dhe Serbia të organizojnë këtë Kampionat bashkë. Serbia është vendi me tifozerinë më të dënuar në Evropë. Stadiumi i fundit i ri i ndërtuar në këtë vend është bërë kur Tito ishte gjallë. Serbisë nuk i dhuron UEFA asgjë, sepse asnjë vend në rajon nuk pranon të bashkëpunojë me këtë vend. Maqedonia nuk pranon, Sllovenia nuk pranon, Kroacia nuk pranon, Bosnja nuk pranon, këtë gjë e pranon vetëm Shqipëria, e cila është paterica e serbëve, sepse ata me gjithë sllavizmin e tyre, e mbështesin Shqipërinë për të marrë vota dhe gjëra të tjera. Ky është një ‘haraç’ i paguar. Turp dhe e paçin faqen e zezë atë që për interesa personale e bën këtë bashkëpunim“, ka deklaruar Shakohoxha.
/GazetaBlic Sport/