Lajme

Hamza kujton 23 martirët e familjes Deliu: Plagët e luftës ende janë të hapura

09/26/2024 15:32
nga:Genita C

Sot, Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër, i dha nderim 23 martirëve të familjes Deliu, të cilët humbën jetën në mënyrë tragjike nga forcat serbe në shtatorin e vitit 1998, raporton GazetaBlic.

Ky akt mizor, që mori jetët e fëmijëve, grave dhe të moshuarve, përfaqëson një plagë të hapur në kujtesën tonë kolektive.

Hamza theksoi se, pavarësisht nga sakrifica e madhe, ende nuk ka ndëshkime për ata që kryen këto krime të tmerrshme. Ai shprehu bindjen se kjo sakrificë na obligon të punojmë për një Kosovë më të zhvilluar, ku çdo brez të mund të jetojë me dinjitet dhe paqe.

Shkrimi i plotë:

Sot i kujtuam dhe nderuam 23 martirët e familjes Deliu në Abri të Epërme. Fëmijë, gra e të moshuar u masakruan mizorisht në shtatorin e vitit 1998 nga forcat serbe në këtë fshat të Drenicës. Ishin të pafajshëm, por deri më tash askush nuk është dënuar për vrasjen e tyre.

Plagët e luftës ende janë të hapura dhe dhimbja për më të dashurit tanë vazhdon të jetë e madhe.

Themelet e shtetit janë ndërtuar mbi sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve. Sakrifica e tyre na obligon të punojmë pareshtur për një Kosovë më të zhvilluar, ku gjeneratat e reja të mund të jetojnë më mirë, me dinjitet dhe në paqe.