Lajme

Koci për 42 terroristët e Banjskës që ndodhen në arrati: Nuk kanë shpëtim, herë do kur kanë me ra në dorë të drejtësisë

09/25/2024 17:54
nga:Sh R

Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca fillestarë për rastin Banjska, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Për këtë rast janë 45 të akuzuar për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër Kushtetutës së Kosovës, përfshirë Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Ndërsa 42 prej tyre gjenden në arrati. Ajo u shtye për 9 tetor, pas kërkesës së tre avokatëve të të akuzuarve që gjenden në paraburgim. Ata donin më shumë kohë për t’u përgatitur.

Avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, në emisionin “Frontal” të T7 ka thënë se aktakuza është mirë e punuar, por se rasti është kompleks.

“Aktakuza ishte mirë e punuar, natyrisht që unë si avokat në baza ditore kundërshtoj aktakuza, gjithmonë mund të jetë më mirë por duke e pasur parasysh kompleksitetin e rastit, duke e pasur parasysh që ka pasë pak informacione se shumica e të akuzuarve kanë qenë me maska, është dashur një herë me i identifiku, me i gjet emrat pastaj secilit me ia përshkru veprimet dhe pastaj me prova konkrete me i provu veprimet inkriminuese të tyre. Këtë rast po e përcjell e gjithë bota dhe prokuroria ka një përgjegjësi të madhe që aktakuza me qenë sa më profesionale.”

Koci tha se prej 45 të akuzuarve, vetëm 3 ose 4 persona nuk ishin shtetas të Kosovës, ndërsa të tjerët po.

“Një detaj që më ra në mend, shumë më boni përshtypje, prej 45 vetave ndoshta ishin 3-4 veta që nuk ishin qytetarë të Republikës së Kosovës, pra shumica e serbëve të akuzuar për terrorizëm ishin serbë të Kosovës”.

“Prej 45, 42 janë në arrati. Një gjykim që ish dashtë me qenë i zakonshëm po na paraqitet me një situatë jonormale. Nuk ndodh shpesh që 42 veta me qenë në arrati”, tha ai.

Ai tha se në këtë rast është një lajm i mirë- që të arratisurit janë në “Red Notice” të INTERPOL’it.

“Lajmi i mirë në këtë, dhe këtë duhet më ia dhënë kreditin Prokurorisë, që këta 42 veta që janë në arrati, të gjithë janë në kërkesën e kuqe të INTERPOL, në “Red Notice”. Të gjithë këta në momentin që e lëshojnë Serbinë, kanë me u arrestu.”

Koci u shpreh i sigurt që të arratisurit herë do kur do të bien në dorë të drejtësisë.

“Ata nuk kanë shpëtim… Kurrë nuk jemi të kënaqur me dënimin që i pret. Është herët që të flasim se sa do të dënohen sepse ka gjasa reale që aktakuza do të ndryshohet dhe të zgjerohet. Por po ju tregoj diçka, këta 42 terroristë që janë në arrati nuk kanë më jetë normale, edhe me mundësi edhe të përkeqësimit, herë do kur kanë me ra në dorë të drejtësisë”, tha ai në “Frontal”.