Lajme

Haradinaj për deklaratën e Hovenier: Shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për rrugën e gabuar të Kosovës

09/25/2024 15:47
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier,  “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni”, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë kjo është shprehje shumë e pazakontë e tij, është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova.

“Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

Postimi i tij i plotë:

Ambasadori Amerikan Jeffrey Hovenier ka qenë i kyqur në temën e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë e posaçërisht gjatë negociatave nën udhëheqjen e Martti Ahtisaarit. Ambasadori Hovenier shquhet si njeri me vlera të larta njerëzore, top diplomat me një urtësi të madhe politike, njerëzore dhe intelektuale. Ai ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe ka një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj.

Shprehja e tij “mos urinoni nga klubi ku doni të hyni” është shprehje shumë e pazakontë e tij. Kjo shprehje e pazakontë është shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin dhe rrugën e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën si Hovenier kjo ju dhemb. Kosova është keq dhe ka trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!