Lajme

“Armatimi ishte futur me automjete edhe atë natë”, Drejtori i Policisë jep detaje për sulmin në Banjskë

09/24/2024 20:50
nga:G B

Një vit më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur i prirë nga Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës, ku rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë detaje lidhur me sulmin terrorist dhe planifikimet e grupeve kriminale që kishin operuar në veri të Kosovës.

Hoxha ka theksuar se autoritetet kishin informacione mbi stërvitjet e grupeve kriminale në Serbi, të cilat ishin të përgatitura për të sulmuar institucionet e Kosovës.

“Kemi pasur informacione që grupet kriminale të kësaj natyre po stërvitën në Serbi. E dinim që ata janë në Serbi dhe po punonin me qëllim të sulmimit të institucioneve të Kosovës dhe territorit tonë”, ka deklaruar ai.

Sipas Hoxhës, megjithëse nuk kishin informacione specifike për datën dhe kohën e sulmit, policia kishte përgatitur plane operative për të përballuar çdo përballje të mundshme.

“Kemi përgatitur planet tona operative që në qoftëse kemi sulme të tilla, të ballafaqohemi me to dhe të dalim fitimtar”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu ka zbuluar detaje për armatimin e sjellë në Kosovë, duke theksuar se “armatimi nuk është futur kohë më herët në Banjskë, por edhe atë natë ka pasur futje të armatimit”.

Hoxha përmendi se grupi kishte ardhur me automjete të mbushura me armë dhe se kishte përdorur rrugë ilegale për të kaluar nga territori i Serbisë në Kosovë, duke vepruar nga ora 23:00 deri në orën 2:00 të datës 23 dhe 24 shtator.

“Ata kanë ardhur me makina edhe të gjitha kanë qenë të mbushura me armatime. Ata kanë përdorur rrugë ilegale, të cilat janë shumë të thella që nuk kanë qenë të mbuluara shkak i pamundësisë të mbulimit të terrenit janë disa rrugë malore e cila rrugë është përdorur pasi automjetet e tyre kanë qenë për të përballuar terrenin e vështirë. Gjatë natës kanë kaluar nga territori i Serbisë në të Kosovës prej orës 23:00 deri nga ora 2:00, nga data 23 dhe 24 shtator”, ka deklaruar Hoxha.

Po ashtu, ai ka potencuar se ka dëshmi të pamohueshme se armët janë nxjerrë nga kazerma ushtarake e Serbisë.