Lajme

Banjska një vit pas sulmit terrorist, serbët: Ndjehemi të sigurtë me Policinë e Kosovës

09/24/2024 20:01
nga:G B

27 shtator 2023, 24 shtator 2024, një vit diferencë, gjithçka është ndryshe. Banjska e Zveçanit një vit pas sulmit terrorist është ndryshe. Ndryshe ishte edhe nata kritike.

“Rreshteri Afrim Bunjaku me kolegët e tij kur erdhën në këtë vend në fshat vërejtën diçka të pazakontë, ishte errësirë. Fshati zakonisht ndriçohej nga dritat e shtëpive. Por ora 3 pas mesnatës më 24 shtator 2023 fshatin Banjskë e gjeti në errësirë, dritat e shtëpive shumica ishin të fikura, me vetëdije apo pa vetëdije kjo nuk dihet.”

Historia dihet, Bunjaku u vra nga mina kundërkëmbsorisë e aktivizuar me telekomandë, dhe nisën luftimet.

Shikimet flasin se cila ishte atmosfera. Prapa xhamave të dritareve, gjurmëve të luftimeve, qëndronin ngadhënjimtar njësitet speciale të Policisë së Kosovës. Sot janë zëvendësuar me qetësinë dhe paqen në këtë fshat të vogël buzë kodrës.

72 orë më vonë mediat ishin dëshmitare të një historie të paimagjinueshme. Në urën e fshatit kamionë të çeliktë të shkatërruar, ngjitur autoblinda speciale me gjurmë të një beteje të ashpër.

Sot ura është e kalueshme. Shkolla djathtas ato ditë ishte kthyer në vend fantazmë, një vit pas fëmijët mësojnë lirshëm gjuhën serbe, pa u cenuar e ndrydhur nga askush.

Shtëpia majtas që nëpër xhama kishte gjurmë të plumbave, një vit pas ato janë zhdukur e xhamat janë riparuar.

Tash po futemi rreth 100 metra në zemër të fshatit. Në anën e majtë ndodhen pronat që ishin bërë mburojë për terroristët.

“Një vit pas sulmit terrorist hoteli Rajska Banja bashkë me pronat përcjellëse i është kthyer pronares legjitime të saj, Trepçës. Gjendja këtu është krejt tjetër, brenda këtij objekti ose në objektin përcjellës është hapur posta e Kosovës, ndërkaq njësitë speciale për reagim të shpejtë ka gati nëj vit që përkujdesen për sigurinë e fshatit dhe janë stacionuar në këtë pjesë.”