Lajme

Stano e përdori në “X” flamurin e Kosovës, i reagon Petkoviq: Në emër të kujt po flet, trego nëse e ke ndërruar punëdhënësin

09/24/2024 17:54
nga:G B

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë bëri një postim në X (ish-Tëitter), për të kërkuar që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës. Ai kërkoi edhe normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe këtu në vend të emrave përdori flamujt të të dyja shteteve.

Kjo i pengoi kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq, i cili akuzoi Stanon se shkeli neutralitetin e BE-së karshi pavarësisë së Kosovës.

Për më tepër, Petkoviq tentoi të prezantonte se përdorimi i flamurit të Kosovës nga Stano është shenjë për ndërrim të punëdhënësit, duke aluduar te shefja e re e diplomacisë së BE-së, ish-kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.

“Kush e autorizoi zëdhënësin e BE-së për të shkelur neutralitetin e statusit të BE-së duke njohur të ashtuquajturën Kosovë? Në emër të kujt flet Stano dhe pse e tejkalon mandatin e tij kur pesë shtete të BE-së nuk e njohin pavarësinë e UDI (Unilateral Declaration of Independence) Kosovës? Nëse ai ka ndryshuar punëdhënës, ai duhet ta thotë këtë qartë!”, shkroi Petkoviq.