Lajme

Peci: Kemi rritur për 400 për qind përkrahjen për fermerët që merren me bimë organike

09/23/2024 10:48
nga:G C

Shoqata “Organika” ka organizuar të hënën Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Bujqësi Organike, të titulluar “Sfidat dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike në sektorin e Produkteve Pyjore Jo-Drusore dhe Bimëve Mjekësore dhe Aromatike”.

Qëllimi i kësaj konferencë është që të bëhet ndërgjegjësimi i komunitetit për përdorimin e produkteve organike, në një botë që po përballet me ndryshime të mëdha klimatike.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se eksportet organike kanë vlerën prej 16.5 milionë euro.

Ai ka thënë se Qeveria ka rritur përkrahjen në 400 për qind për fermerët e këtij sektori.

“Rreth 400 hektar janë certifikuar për grumbullimin e produkteve pyjore jo-drusore. Rreth 1000 persona në Kosovë janë direkt të përfshirë në gjenerimit e të ardhurave ne grumbullimin e bimëve medicionale edhe frutave të egra malore, kjo veprimtari po ndikon në zhvillimin e ekonomisë në zonat rurale. Gjatë mandatit tim si ministër, qëllimi ka qenë që produktet organike të Kosovës të jenë simbol i cilësisë në tregjet ndërkombëtare ku ne i plasojmë. Sot ky objektiv po realizohet. Me eksporte organike që kanë qenë, kanë arritur vlerën prej 16.5 milionë. Për të përmbushur këtë angazhim kemi arritur një sukses të rëndësishëm duke pesëfishuar ose duke rritur përkrahje në 400 për qind krahasuar me gjendje që në si Qeveri Kurti e kemi gjetur. Nga 50 euro për hektar sa ishte më pare, sot fermerët përfitojnë 240 euro për sipërfaqe të certifikuara. Një ndër prioritetet tona kryesore është krijimi i kornizës programore për bimët organike të harmonizuara me standardet evropiane”, ka thënë Peci.

Kryetari i Shoqatës “Organika”, Fatmir Krasniqi ka thënë se kanë arritur suksese të mëdha në këtë fushë duke eksportuar produkte organike me mbi 15 milionë euro.