Lajme

“Lojëra politike”, “Deklarime të vonshme e pa dobi”: PDK e AAK kritika presidentes Osmani

09/22/2024 19:51
nga:G B

Partitë opozitare kanë kritikuar presidenten Vjosa Osmani për vonesën në deklaratat e saj kritike ndaj Qeverisë së Kosovës, tani në fund të mandatit.

Kështu kanë deklaruar për Gazeta Blic deputetë nga PDK e AAK.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se deklarimet e saj janë të vonshme dhe pa dobi, duke shtuar se ato janë të vërteta dështimet e korrupsioni për qeverinë.

“Deklarimet e zonjës Osmani janë të vonshme dhe pa dobi. Çka vlerësoj është jashtëzakonisht e rëndësishme që deklarimet e saj janë të vërteta karshi dëmeve që i janë bërë Republikës tonë, qoftë për nepotizmin, korrupsionin, emërimet në borde, ambasadorë që na përfaqësojnë, qoftë për dështimin për anëtarësim në KiE, Asociacionin e shumë çështje të tjera, vlerësoj që vetëm e shpërfaqin një të vërtetë që ka ndodhur për këto 4 vite e për të cilat presidentja është dashur të flasë më herët. Tani është shumë pak, shumë vonë”, është shprehur ajo.

Musliu-Shoshi thotë se nuk e di arsyen pse Osmani ka kritikuar tani qeverinë në prag të zgjedhjeve, por që alternativë mund të jetë interesi personal politik.

“Këtë pjesë nuk e di dhe nuk mund të jap ndonjë përgjigje sepse nuk e di se çka ka dëshirë që të ndodhë me jetën e saj politike në të ardhmen por nëse dëshiron që të jetë ende në politikë, e shoh edhe si alternativë për interesin e saj personal politik që të jetë në skenë”, vlerëson deputetja e PDK-së për Gazeta Blic.

“Përplasjet Kurti-Osmani lojëra politike, po i vjen era veprim elektorale”

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se kritikat kanë mundur të thuhen edhe para një apo dy vitesh por që presidentja nuk e ka bërë.

“Ju po e shihni që tashmë është thelluar ndarja ndërmjet presidentes dhe qeverisë për dështimet e qeverisë por ja që presidentja e vendit Vjosa Osmani nuk e di pse tash në fund të mandatit e kritikon sepse ka pasur vend edhe për kritika edhe para 1 viti dhe 2 vitesh, ja që mendoj që janë qëllime politike dhe jo përmbajtësore. Por mund të them që qeveria e ka proklamuar të kundërtën e asaj që e ka deklaruar, edhe në Bruksel, edhe në vend edhe çdokund”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.

Sipas Lekajt, të gjitha përplasjet në mes të Kurtit e Osmanit janë lojëra politike dhe po u vjen era veprime elektorale.

“Me siguri që janë lojëra politike dhe nuk e di nëse tani kur kanë mbetur edhe 4 muaj deri në zgjedhje del presidentja, më tepër i vjen era veprime elektorale se sa që e kanë seriozisht çështjen në fjalë”, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj./Gazeta Blic/

Analisti tregon pse u ‘zbut’ Kurti për hapjen e urës – thotë se përplasja e tij dhe Osmanit është politike

Musliu-Shoshi: PDK do t’i fitojë zgjedhjet – qytetarët do ta ndëshkojnë Kurtin për dështimet