Lajme

Osmani: Xhevë dhe Fehmi Lladrovci janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës

09/22/2024 09:07
nga:G C

Sot, në 26-vjetorin e rënies heroike të Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, presidentja Vjosa Osmani ka nderuar kujtimin e këtyre dy gjigantëve të historisë së Kosovës, raporton GazetaBlic.

Ajo theksoi se Xhevë dhe Fehmi Lladrovci janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që gëzojmë sot.

Presidentja Osmani shkruan se ata ranë së bashku në këtë ditë të shënuar, të bashkuar në përkushtimin e tyre të palëkundur për çlirimin e Kosovës.

“Xheva dhe Fehmiu ishin më shumë se luftëtarë – ata ishin simbole të shpresës dhe forcës për të gjithë ata që ëndërruan një Kosovë të lirë dhe të pavarur,” tha ajo.

Presidentja theksoi se trashëgimia e tyre tejkalon kohët, duke kurorëzuar veprimtarinë e tyre patriotike me aktin e heroizmi në krye të betejës.

“Në çdo cep të Kosovës ndihet sakrifica e tyre – në lirinë që jetojmë, në shtetin që kemi ndërtuar dhe në shpresën për një të ardhme më të ndritur,” përfundoi presidentja.