Lajme

Kanal 10 me studio edhe në Minhen të Gjermanisë

09/19/2024 21:31
nga:Y I

TV Kanal 10 së shpejti pritet të hapë studio dhe të jetë prezentë edhe në Minhen të Gjermanisë.

Ky zhvillim vjen si rezultat i partneritetit që Media 10 ka arritur me fondin investiv gjerman BKI Assets und Investments.

Drejtori i përgjithshëm i Media 10 Arben Ahmeti, ka thënë se synimi është që shqiptarëve në Gjermani dhe Evropë t’u ofrohet një platformë mediale, e cila do të avancojë komunikimin e mërgatës me mundësitë e investimit në Kosovë dhe rajon.

“Prezenca jonë në Minhen do të realizohet nëpërmjet një studio që do të prodhojë kontent për televizionin tonë, por edhe nëpërmjet një radio që fillimisht do të funksionojë me frekuencë tokësore në Bavari, por do jetë online për gjithë mërgatën”, ka thënë Ahmeti.

Si rezultat i këtij investimi, TV Kanal 10 së shpejti do të sjellë një seri të debateve interesante nga mërgata që do të shërbejnë edhe si arenë e garës elektorale për zgjdhjet e shkurtit.

Emisoni Politiko i së Enjtes në Kanal 10 është realizuar në një lidhje direkte nga Minheni, ku është folur për zhvillimin e komunitetit shqiptarë në Gjermani.

Media 10, gjegjësisht televizioni Kanal 10, gazeta dhe radio u themeluan nga gazetarët Fidan Rama, Kushtrim Sadiku e Arben Ahmeti në vitin 2020.

Televizioni i gazetarëve synon që në të ardhmen të jetë platformë mediale për tregun shqiptarë kudo në botë.