Lajme

Halim Berisha për të akuzuarit: S’kam asgjë ndaj tyre se nuk i njoh, s’e di pse jam ftuar për dëshmi

09/19/2024 13:44
nga:Sh R

Halim Berisha ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Berisha tha se nuk i njeh të akuzuarit, nuk ka asgjë ndaj tyre dhe se nuk e di arsyen se pse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka ftuar për të dëshmuar në këtë gjykim.

“Nuk i njihja, absolut nuk i njoh asnjë dhe nuk e di arsyen se pse me kanë ftu”, tha dëshmitari.

Përpara kësaj, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit, avokates Nina Tavakoli, dëshmitari pohoi se e kishte thirrë dy herë në telefon Prokurorinë për të pyetur se pse duhet të jepte dëshmi në këtë proces gjyqësor, pasi nuk e kishte kuptuar arsyen e kësaj.

Berisha gjithashtu pohoi se i kishte thënë ZPS-së se ai nuk kishte dëshmi kundër të akuzuarve për shkak se nuk kishte asgjë kundër tyre dhe se nuk i njihte.

“Shumë e saktë. Nuk kam kurrgjë ndaj tyre, nuk i njoh. Nuk e di”, tha dëshmitari, transmeton Betimi për Drejtësi.

Me kaq përfunduan pyetjet e mbrojtje së Thaçit të përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli për të vazhduar më pas me pyetjet e mbrojtjes së Veselit e përfaqësuar nga avokatja Ann Rowan.