Lajme

Seanca fillestare e të akuzuarit Nagip Krasniqi ndërpritet, mbrojtja kërkon prova për aktakuzën

09/19/2024 10:35
nga:G B

Të enjten, ka nisur seanca fillestare e gjykimit ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, i cili akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”.

Por, siç raporton ekipi në terren i TV Dukagjinit, pas disa minutave, seanca fillestare është ndërprerë për shkak se mbrojtja ka kërkuar, meqë ka thënë se nuk ka marrë të gjitha provat me të cilat është mbështetur aktakuza.

Mbrojtja e të akuzuarit ka përmendur disa nga provat që sipas tyre nuk kanë pranuar duke përfshirë edhe dëshmi të dëshmitarëve, ndërkohë që prokurori ka thënë se ia kanë dorëzuar të gjitha.

Krasniqi, i cili u arrestua më 19 prill të vitit të kaluar, është përballur me një operacion të gjerë bastisjeje nga Njësia e Veçantë e Hetimeve.

Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Gjatë këtij operacioni, janë kryer kontrollime në zyrën e tij në KEK dhe në dy banesat e tij private.

Ai ka qëndruar në paraburgim deri në shtator dhe, pas lirimit, iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut.

Krasniqi ishte emëruar në krye të KEK-ut në tetor të vitit 2021.

Sipas informacioneve, aktakuza ndaj tij është e ndarë plotësisht nga hetimi për të cilin ai ishte arrestuar vitin e kaluar.