Lajme

Pal Lekaj i reagon Qeverisë: Shifra mashtruese për papunësinë – Kurti s’do ta hapë urën e Ibrit  

09/18/2024 14:50
nga:G B

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar ndaj Qeverisë për shifrat e publikuara se në Kosovë papunësia është 4 për qind.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se këto janë shifra të rrejshme dhe për t’i mashtruar qytetarët.

“Sa i përket deklarimeve të Qeverisë Kurti, mendoj që janë mashtruese për të fituar opinion pozitiv te qytetarët por që nuk bazohen në argumente dhe statistika. Mendoj që shifra është shumë më e lartë se që e kanë cekur Qeveria e Kosovës, kjo qeveri di të mashtrojë, ka mashtruar për katër vite por edhe në këtë rast po jep shifra të gabuara, të rrejshme, vetëm sa për krijuar një opinion pozitiv”, shprehet ai.

Deputeti opozitar ka komentuar dhe thirrjen e kryeministrit Kurti që qytetarët ta votojnë VV-në dhe ta tejkalojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021.

Lekaj e ka quajtur Kurtin mashtrues, duke shtuar se të gjitha veprimet e tij janë populiste.

“Sa i përket qeverisjes Kurti, qytetarët e kanë ndier më së miri mos punën e tyre, neglizhencën, mos punën e tyre dhe mund të them që në asnjë segment nuk i ka përmbushur obligimet ndaj qytetarëve. Prandaj, të dilet e të thirret që të votohet edhe më tepër se në vitin 2021, mendoj që është mashtruese dhe e paqëndrueshme por qytetarët do ta thonë veten me 9 shkurt dhe do të shihet rezultati. Ky kryeministër është mashtrues dhe mendoj se të gjitha ato veprime që i ka bërë i ka bërë në mënyrë vetëm populiste për të fituar, por ja që qytetari do ta thotë fjalën e tij dhe mendoj që nuk duhet të bazohemi në fjalët e kryeministrit të Kosovës”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Deputeti thotë se nëse VV bën thirrje të tilla për vota dhe thotë se do t’i fitojë 60 për qind të votave, duhet të ketë bazë e argument, por që kjo sipas tij është qesharake.

“Nëse Vetëvendosje mendon ashtu, duhet ta ketë një argument, një bazë, pse t’i ftojë qytetarët të votojnë. Nëse e shikojmë zhvillimin ekonomik, ka ngecje, nëse e shikojmë arsimin, shëndetësinë, po ashtu mirëqenien sociale, atëherë pse qytetarët e Kosovës po e lëshojnë vendin, 50 mijë veta për çdo vit dhe ja ku e kanë sjellë Kosovën dhe të dalë një kryeministër apo një kryetar i VV-së siç është Kurti dhe të kërkojë të fitojë 60 për qind mendoj që është qesharake dhe jo e bazuar në punën që e kanë bërë”, deklaron Lekaj.

Ndërsa, sa i përket hapjes së urës, deputeti i AAK-së thotë se është veprim elektoral dhe që s’do të ndodhë, duke theksuar AAK është pro hapjes së urës por në koordinim me aleatët.

“Unë mendoj që më tepër është veprim elektoral, veprim që nuk do të ndodhë. Ne si AAK jemi pro hapjes së urës por që të jemi në koordinim me BE-në, KFOR-in dhe sidomos me SHBA-të”, thotë deputeti Pal Lekaj./Gazeta Blic/