Lajme

“LDK do të fitojë”/ Deputeti tregon a mund të kenë koalicion me Vetëvendosjen

09/19/2024 09:40
nga:G B

Deputeti Armend Zemaj ka thënë se LDK ka bërë opozitë konstruktive, përkundër opozitarizmit agresiv dhe mashtruese të VV-së.

Ai në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se VV edhe pse në pushtet, nuk ka ndryshuar gjuhën nga ajo e kaluara.

“LDK së pari ka bërë opozitë konstruktive, të domosdoshme, që mos ta përsërisim një lloj opozitarizmi agresiv, mashtrues që ka qenë i Lëvizjes Vetëvendosje, këtu kemi qenë shumë të kujdesshëm për hir të qytetarit dhe për hir të ndjenjave të tyre për ta dashur Kosovën për atë që është reale dhe me pretendimet për ta zhvilluar Kosovën, jo mbi bazën e gjuajtjeve, etiketimeve, ofendimeve, gjykimeve, tendencave që vetëm kanë krijuar polarizim dhe e cila është gjuha fatkeqësisht aktuale e LVV-së, akoma pa ndryshuar nga ajo e kaluara”, thotë deputeti.

Sipas tij, LDK beson në fitore në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“LDK është përgatitur shumë, me program zhvillimor për Kosovën, me shumë ekspertë dhe sigurisht me organizimin strukturor dhe në teren, besojmë fuqishëm në fitoren tonë për interes të qytetarit dhe interes të zhvillimit të Republikës së Kosovës”, thekson Zemaj.

Deputeti ka folur dhe për mundësinë e koalicionit me partitë tjera dhe a kanë vija të kuqe për VV-në.

“LDK tashmë e ka programin “Rruga e re”, janë të saktësuara konditat zhvillimore të saj, jo vetëm ato ideologjike që janë të domosdoshme për frymën që ne jemi të përcaktuar dhe ideologjinë nga themeluese presidenti Rugova e tutje. por, çdokush që përafrohet dhe çdokush që e përqafon pas fitores tonë, mendoj që nuk do të ketë ndonjë barrikadë me atë që ne e shohim për zhvillim të vendit por nëse dikush mendon që duke e shantazhuar LDK-në që të jetë pjesë e qeverisjes bashkërisht me neve, përmes ideologjisë së majtë ose ekstremit të majtë, ose partive të cilat nuk janë të pastruara nga korrupsioni dhe krimi, atëherë ne do të vendosim që udhëheqjen ta bëjmë ashtu siç na ofron dhe na beson qytetari”, deklaron deputeti i LDK-së, Armend Zemaj./Gazeta Blic/