Lajme

Dështon seanca ndaj ish-zyrtarëve të Aeroportit, shkak mungesa e ekspertit financiar

09/18/2024 11:41
nga:Sh R

Mungesa e ekspertit financiar, Agim Sheqiri, u bë shkak i dështimit të seancës së paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ish-zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj, akuzohen për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi, bëri të ditur se sot në mëngjes kishte pranuar një e-mail nga eksperti Sheqiri, i cili ka njoftuar se nuk mund të paraqitet në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi tha se në atë e-mail, Sheqiri kishte theksuar se ka pasur lëshime nga ana e gjykatës dhe se nuk ka qenë në dijeni për caktimin e kësaj seance.

Po ashtu, i njëjti ka njoftuar se edhe në seancën e 19 shtatorit nuk do të jetë prezent, për shkak se është i caktuar në një seancë tjetër në Gjykatën Themelore të Pejës.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty, ndërsa ajo e paraparë për nesër (19 shtator) u anulua.

Eksperti Sheqiri deklarimin e tij rreth ekspertizës për këtë rast e ka filluar në seancën 29 majit 2024, ku ndër të tjera kishte deklaruar se në rastin konkret si dëm i matshëm pa përfshirë pjesët tjera të dëmeve që mund të jenë shkaktuar e për të cilat nuk ka njohuri, është vlera 1 milion e 937 mijë e 230 euro.

Kurse, në seancën e 3 qershorit 2024, eksperti tha se kompania “TCN” u tërhoq nga kontrata për shkak të vonesave në pagesë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 maj 2022 nga Prokuroria Speciale, Bahri Nuredini dhe Driton Mehaj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari”, më pas Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktit akuzues, Nuredini në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA) dhe Mehaj në cilësinë e Menaxherit të Kontratës për Furnizim me Sisteme të Navigacionit dhe Rilokim të Sistemeve Ekzistuese në AShNA, akuzohen se në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim paraprak të Komitetit Drejtues Ndërministror (KDNM), kanë iniciuar dhe zhvilluar procedurat e prokurimit, ashtu që më 8 dhe 9 shtator, përmes Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) kanë shpallur fitues të tenderit OE “TCN International” Sh.P.K., me vlerë të përgjithshme prej 7 milionë e 808 mijë e 296 euro.

Të njëjtit, me këto veprime, thuhet se i kanë shkaktuar dëm buxhetit të AShNA dhe buxhetit publik në lartësi prej 1 milion e 937 mijë e 230 euro