Lajme

Canaj: Vuçiq tani nuk shihet nga bashkësia ndërkombëtare si person që bllokon proceset

09/16/2024 20:23
nga:G C

Të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se BE-ja, i mirëpret thirrjet e presidentit serb Vuçiq për serbët e Kosovës, për pjesëmarrje në zgjedhje në Kosovë dhe riintegrim të tyre në të gjitha institucionet e Kosovës nga të cilat u larguan në vitin 2022.

E këtë qasje të BE-së ndaj thirrjeve të presidentit serb Vuçiq për Kosovën, ish-diplomati, Blerim Canaj, nuk e sheh befasuese.

Sipas Canaj, kjo është një lojë e mirë nga Vuçiq, e cila siç ka thënë ai, ‘i shkon në favor Serbisë dhe serbëve të Kosovës’.

“Natyrisht se nuk është dicka për çka duhet të befasohemi, që nga momenti kur nga eksponentë të rëndësishëm politik ndërkombëtar është përmendur shkelja e të drejtave të njeriut dhe mungesa e përfaqësimit politik të serbëve në Kosovë. Të them të drejtën, kjo është një lojë e mirë të cilën e ka bërë Vuçiqi, lojë e mirë në kuptimin që i shkon në favor Serbisë dhe serbëve të Kosovës, dhe natyrisht pastaj në favor të asaj që ai të shfrytëzojë politikisht, njëjtë si po e bën edhe Albin Kurti, dhe ta stabilizojë edhe pozitën e tij në Serbi tanimë, për shkak se flet për atë që politika e tij ashtu të them konstruktive në thonjëza po ndihmon pastaj edhe në mirëqenien e serbëve këtu në Kosovë”, ka thënë Canaj në emisionin “Ditari” në tëvë1.

Për ish-diplomatin Canaj, Vuçiq e ka arritur atë që ka dashur, pasi sipas tij, presidenti serb, aktualisht nga bashkësia ndërkombëtare nuk shihet si person që bllokon proceset.

“Vuçiq atë që ka dashur e ka arritur, sepse kurthi në të cilën është futur Qeveria e Kosovës edhe në dialog edhe me hapat të cilat i ka marrë të cilat kanë qenë më shumë për konsum të brendshëm politik, natyrisht që i kanë konvenuar Vuçiqit dhe ai tani shihet nga bashkësia ndërkombëtare si person që nuk i bllokon proceset. Pra, Vuçiq ka ditur të shfrytëzojë këtë mangësi dhe hapësirë të cilën e kemi krijuar ne si Kosovë për të dhe tani e kemi situatën të cilën e kemi”, ka shtuar Canaj.