Lajme

Kastrati: Qasja e Kurtit ka sjellë rezultat të dëshiruar për Aleksandër Vuçiqin

09/16/2024 17:42
nga:G C

Takimi i kryenegociatorëve do të mbahet nesër, por sipas deputetit të PDK-së, Ardian Kastratit, nuk do të ketë asnjë risi.

Kastrati në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, Kurti e ka pranuar autonominë dhe këtë ‘lojë’ po e bën për vota.

“Nuk pritet risi. Albin Kurti e ka pranuar autonominë e serbëve në Ohër. Tani, ai po luan lojën në Veri vetëm me qëllim që të fitojë vota këndej urës së Ibrit.

Njëkohësisht, me këto aktet simbolike, kinse për shtrirje të sovranitetit, po iu jep serbëve e Vuçiqit atë që po kërkojnë: “viktimizimin e përhershëm” në sy të ndërkombëtarëve”, tha Kastrati.

“Kjo është arsyeja pse serbët kanë ndërru strategji, me mosbindje qytetare në veri, pa rezistuar në mënyrë agresive. Qëllimi është që gradualisht, e tërë Bashkësia Ndërkombëtare t’i sheh si viktimë dhe t’i përkrahë në kërkesat e tyre shtesë”, shton tutje ai.

Madje, sipas Kastratit, qasja e Kurtit ka sjell rezultat të dëshiruar për Vuçiqin.

“Kjo qasje e Kurtit ka sjell një rezultat të dëshiruar për Vuçiqin: Sanksione për Kosovën, prishe të marrëdhënieve të Kosovës me ShBA-të dhe “viktimizim të përhershëm” për serbët në sy të ndërkombëtarëve”, tha Kastrati për GazetaBlic.