Lajme

Rritja e çmimeve: Ekonomisti thotë se Qeveritë e kalura menaxhuan më mirë situatat e tilla se Qeveria e Albin Kurtit

09/17/2024 23:28
nga:N K

Rritjet e çmimeve të konsumit janë bërë një shqetësim i vazhdueshëm në vendin tonë.

Së fundmi, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se çmimet e konsumit kanë shënuar rritje prej 1.4% në krahasim me muajin gusht të vitit të kaluar (2023).

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4 % në muajin Gusht 2024 krahasuar me muajin Gusht 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve (26,3%), kafja, çaji dhe kakao (8,9%), pushime të organizuara (7,5%), peshqit (6,3%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj.(6,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,6%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (4,9%), veshje (4,5%), pijet alkoolike (4,3%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (3,7%), shërbimet financiare (3,7%), kujdesi personal (3,6%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (3,2%), buka dhe drithërat (3,2%), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (3,0%), duhani (2,8%), mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit (2,4%), pemët (2,3%), prodhimet ushqimore (2,1%), mishi (2,0%), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (1,2%), shërbimet hoteliere (1,0%), qumështi, djathi dhe vezët (0,7%) dhe energjia elektrike (0,7%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,2 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

E, këtë rritje të vazhdueshme ekonomisti Arton Muhaxheri në një prononcim dhënë për GazetaBlic, shprehet shqetësues ndaj kësaj rritje, duke e lidhur këtë “fenomen” me paqëndrueshmërinë ekonomike të vendit.

Ai theksoi se Kosova po përballet me një treg të paqëndrueshëm për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë edhe ndikimin e pandemisë që ka plasuar më pas.

“Këto vitet e fundit, Kosova po përballet me një paqëndrueshmëri ekonomike dhe rrjedhimisht me një treg jo stabil, që ka ndodhur për shumë arsye: gjendja ekonomike post-COVID, rritja e inflacionit, mungesa e investimeve të huaja, etj. Të gjitha këto kanë bërë që tregu i Kosovës të mos ketë stabilitet, dhe për këtë arsye, konsumatorët çdo ditë përballen me rritjen e çmimeve të produkteve esenciale”, tha Muhaxheri.

Arton Muhaxheri, ekonomist

Muhaxheri ka kritikuar qeverinë aktuale për pasitivitetin e saj, duke theksuar se ajo ka qëndruar si “spektatore” dhe nuk ka arritur që t’i adresojë problemet ekonomike.

“Kosova edhe në të kaluarën ka pasur tendosje në treg, sidomos në vitin 2010, kur falimentimi i shtetit grek e futi në krizë gjithë Evropën, përfshirë Kosovën. Megjithatë, asokohe u veprua shpejt dhe saktë nga qeveria e kaluar, dhe Kosova nuk e përjetoi shumë atë krizë. Fatkeqësisht, situata nuk është e njëjtë sot, ku institucioni kryesor që ka përgjegjësi për zbutjen e situatës së rëndë ekonomike, siç është Qeveria, ka zgjedhur të luajë rolin e spektatorit në këtë krizë ekonomike”, u shpreh ekonomisti.

Ai kërkon nga qeveria që të jenë më aktive në aspektin ekonomik, duke dalë në terren për të vlerësuar situatën nga afër, që nga kjo mënyrë mund të krijohen politika të qëndrueshme ekonomike që do t’a stabilizonin tregun.

“Ajo që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë është të lirojë zyrat dhe të dalë në terren për të parë nga afër situatën. Duke parë gjendjen reale, konsideroj se do të merrte vendime të sakta, duke u zgjatur dorën e mbështetjes sektorit privat. Në këtë mënyrë, do të mund të krijohen politika të qëndrueshme ekonomike që do ta stabilizonin tregun, siç mund të jetë subvencionimi i ndërmarrjeve prodhuese, krijimi i kushteve për investime të reja dhe monitorimi i tregut deri në atë masë që nuk dëmton bizneset, por as nuk e rëndon shportën e qytetarit”, tha Muhaxheri.

Vlen të rikujtohet se në raportin e publikuar nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), ajo çka nxjerrë në pah është se një ndër problemet kryesore në Kosovë janë kostoja e jetës, çmimet e larta dhe papunësia.

Të pyetur nga IRI se “Cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi ynë sot?, nga 33% e tyre janë shprehur se një ndër problemet kryesore është kostoja e jetesës dhe çmimet e larta, ndërsa 32% e tyre e kanë vlerësuar si problem dytësor.