Lajme

Mbështetja për anëtarësimin në BE aktualisht në pikën më të ulët

09/16/2024 16:09
nga:G C

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal e ka prezantuar sot në Tiranë, Ballkan Barometrin, i cili është sondazhi më i madh i opinionit publik dhe i biznesit në rajon.

Ndër rezultatet e prezantuar vihet në dukje, rënia e mbështetjes për anëtarësimin në BE.

Sekretarja e RCC-së, Majlinda Bregu, gjatë prezantimit se tha se aktualisht mbështetja pë anëtarësim në Ballkanin Perëndimor, është në pikën më të ulët gjatë këtyre gjashtë vjetëve të fundit.

“Gjërat po ndryshojnë – jo vetëm rrethanat rreth nesh, por edhe perspektivat tona. Mbështetja për anëtarësimin në BE, nisur me 39% në 2015, arriti kulmin me 62% në 2021 dhe prej atij momenti nisi rënia. Sot, ajo qëndron në 54% —më e ulëta në gjashtë vitet e fundit. Lodhja nga zvarritja e zgjerimit, ndonëse më pak, është reflektuar edhe në qarqet e biznesit. Ndërsa mbështetja për anëtarësimin në BE midis liderëve të biznesit ka zbritur me 7% gjatë vitit të kaluar, me 64% ende në favor ajo vazhdon të mbetet më e lartë se në mesin e publikut të gjerë. Pavarësisht kësa, shumë qytetarë mbeten me shpresë. Dyzetë e tre për qind besojnë se anëtarësimi në BE do të ndodhë deri në vitin 2035, kurse një e katërta mendon se do të marrë më shumë kohë. “Në mënyrë inkurajuese, më pak njerëz se vitin e kaluar, 18%, besojnë se ekonomia e tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE—një rënie prej 10 pikësh prej vitit 2022”, shtoi Bregu.

Ky sondazh vjetor është kryer me gjashtë mijë njerëz dhe 1 mijë e 200 biznese nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë të opinioneve të tyre mbi bashkëpunimin rajonal, integrimin në BE, besimin tek institucionet publike dhe mediat, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimin, ndryshimet klimatike, sigurinë, jetën dixhitale, transportin, sundimin e ligjit, udhëtimin, etj.

Që prej fillimit në 2015-ën, anketa ka biseduar me mbi 65 mijë qytetarë dhe afro 13 mijë e 500 biznese duke pasqyruar opinionet e tyre.