Lajme

Profesori britanik: Kurti do të vazhdojë të mos-koordinohet me askënd, kjo e rrit popullaritetin e tij!

09/10/2024 12:55
nga:Genita C

Profesori nga University College London, Eric Gordy thotë se gjatë dy viteve të fundit, kryeministri Kurti ka marrë shumë vendime pa u koordinuar me askënd.

Gordy në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, Kurti do të vazhdojë ta bëjë këtë, pasi sipas tij, kjo ndikon në rritjen e popullaritetit.

“Për Kurtin dhe për qeveritë komunale në veri, çështja është nëse mund të marrin vendime pa u konsultuar me përfaqësuesit e popullatës serbe, e cila tani nuk është e përfaqësuar në organet politike komunale. Kurti ka bërë shumë gjeste të ngjashme gjatë dy viteve të fundit, kryesisht si mënyra simbolike të kryerjes së sovranitetit të Kosovës mbi territorin në veri. Ai ka të ngjarë të vazhdojë ta bëjë këtë, pasi të gjitha këto demonstrime të sovranitetit kontribuojnë në popullaritetin e tij”, tha Gordy.

Sa i përket hapjës së urës mbi lumin Ibër, Gordy flet për dy problemet kryesore që kanë serbët në atë pjesë të Kosovës:

“Në përgjithësi serbët në Mitrovicë kanë dy probleme me perspektivën e rihapjes së urës. Problemi i parë është kryesisht simbolik: nuk ka të bëjë me transportin, por me historinë e urës si vend për incidente të dhunshme. Për shkak të kësaj ata priren ta shohin urën si një burim pasigurie. Problemi i dytë lidhet me mënyrën se si janë trajtuar serbët që jetojnë në veri në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ashtu si shumë marrëveshje të tjera, vendimi i Beogradit për të rënë dakord për rihapjen e urës u mor pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të serbëve etnikë që jetojnë në qytet. Ekziston një pakënaqësi e konsiderueshme në mesin e serbëve që jetojnë në veri për mënyrat në të cilat regjimi në Beograd i trajton ata si instrumente pa marrë parasysh interesat dhe shqetësimet e tyre”, tha Gordy.

Por, sipas Gordyt, veprimet e Kurtit krijojnë probleme për ShBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar.

“Vuçiq për momentin po ndan qëndrimin e banorëve serbë të Mitrovicës dhe e cilëson si provokim iniciativën për rihapjen e urës. Duke bërë këtë, ai po përdor padurimin në rritje të Evropës me Kurtin. Shfaqjet e forcës që Kurti ka krijuar, krijojnë një problem të veçantë për mbështetësit më të mëdhenj ndërkombëtarë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar. Pozicioni i tyre si garantues ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës i detyron ata që të veprojnë si garantues të të drejtave dhe sigurisë së grupeve minoritare”, tha ai.

Tutje, profesori britanik e quan krejt të parëndësishme urën e lumit Ibër, teksa thotë kjo çështje do të mbetet e diskutueshme, sepse ka mosmarrëveshje Kosovë-Serbi.

“Vetë ura është relativisht e parëndësishme. Rihapja e saj është një pyetje praktike që mund të zgjidhet lehtësisht nëse pyetjet rrethuese nuk do të liheshin të hapura. Por do të mbetet e diskutueshme përderisa çështja themelore se si të dy shtetet në mosmarrëveshje me njëri-tjetrin lidhen me nevojat e qytetarëve etnikë serbë të Kosovës mbetet e pazgjidhur. Çështja kërkon që edhe Kurti, edhe Vuçiqi të ndryshojnë qasjen e tyre, si dhe kërkon që banorët e veriut të angazhohen aktivisht përmes përfaqësuesve të tyre në negociata. Nuk ka mundësi që kjo të ndodhë pa një angazhim shumë intensiv nga ana e Bashkimit Evropian, por ne nuk shohim asnjë shenjë për këtë”, tha Gordy për GazetaBlic.

Humolli: Vjosa Osmani ka qenë arsyeja që një pjesë e mirë e deputetëve e kanë votuar Kurtin për kryeministër

Flasin nga NISMA: Vjosa Osmani mund ta dëmtojë elektoralisht Albin Kurtin në zgjedhjet e ardhshme