Lajme

Isa Mustafa: Nuk iu besohet deklaratave të presidentes për Qeverinë, po i bën për fushatë paraelektorale

09/09/2024 11:14
nga:G C

Sipas ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, presidentja Osmani nuk mund të distancohet lehtë nga Qeveria.

Mustafa në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, Osmani nuk është distancuar në asnjë veprim arbitrat të Qeverisë, teksa shton se shpesh ka vepruar edhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Te kjo e fundit, Mustafa përmendi rastin e kryeprokurorit të shtetit, ku sipas tij, Osmani ia ka përmbushur kërkesat kryeministrit.

“Presidentja nuk mund të distancohet aq lehtë nga Qeveria. Asociacioni ose Autonomia e entitetit serb në Kosovë në versionin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit është pranuar më 2023 nga lidershipi aktual i Kosovës”, tha Mustafa.

“Presidentja e vendit nuk është distancuar në atë kohë, nuk është distancuar nga asnjë ligj antikushtetues dhe nga asnjë veprim arbitrar i qeverisë. Ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën në rastin e kryeprokurorit të shtetit, duke ia përmbushur kërkesat kryeministrit dhe e ka shkarkur pa bazë kushtetuese Kryetaren e KQZ-së, në interes të pozitës dhe në heshtje të një pjese të opozitës”, shtoi ai.

Teksa foli për kritikat e fundit të Osmanit karshi Qeverisë së Albin Kurtit, Mustafa potencoi se nuk duhet t’i besohet.

Sipas tij, këto deklarata janë për fushatë paraelektorale.

“E tani, kur nuk e ka mbështetjen e qeverisë, deklarohet se s’mund ta shkarkojë ambasadirin në Kroaci, sepse nuk ia lejon Kushtetuta?! Të gjitha këto deklarime i konsideroj si pozicionime në fushatën paraelektorale, jo si qëndrime që meritojnë tu besohet”, tha Mustafa.

Tutje, ai komentoi edhe arsyetimin e Osmanit për kalim në VV, duke thënë se ka qenë e shkarkuar nga pozita e nënkryetarës së LDK-së, por jo nga e gjithë partia.

Këtë ai e quajti si tradhti dhe thotë se shkuarja e Osmanit në VV me Listën Guxo ka ndodhë për aryse të saja personale.

“Lexova që Vjosa kalimin e saj në listën e VV-së e ka arsyetuar se ne e kemi larguar nga LDK. Vjosa është shkarkuar nga pozita e nënkryetares së LDK-së, por nuk është shkarkuar nga LDK, sepse ka vazhduar të jetë anëtare e Këshillit të Përgjithshëm dhe e Kuvendit të LDK-së kur e ka tradhtuar LDK- në dhe i është bashkangjitur VV-së me Listën Guxo për interesa personale, aspak të Kosovës. Sepse kurrë s’ka qenë interes i Kosovës të futet në sanksione të BE-së dhe SHBA-së”, tha Mustafa për GazetaBlic.

“Dihet kush e ka ofru Asociacionin pesë minuta në 12:00” – Osmanit i vjen reagimi i parë nga VV-ja

“Do të votojmë marrëveshjet ndërkombëtare”, “Arenë shfaqjesh” – Çka pritet në sesionin e ri të Kuvendit?