Lajme

Dyshime për ndryshim të pikëve në konkursin për infermierë në QKUK

09/08/2024 12:17
nga:Genita C

Procesi i konkursit për infermierë ka përfshirë një test me shkrim dhe intervista verbale. Pas përfundimit të testit me shkrim, janë shpallur rezultatet për kandidatët që e kanë kaluar me sukses dhe intervistat verbale ishin të planifikuara për datën 4 shtator.

Por, ky proces ka ngritur disa shqetësime.

Infermieri dhe anëtari i Kuvendit të Odës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku thotë se vërehet dukshëm se ka pasë manipulim të pikëve.

Duraku në një përgjigje dhënë për GazetaBlic dyshon që ky manipulim i pikëve është bërë me qëllim.

“Unë konsideroj që një njeri në komision duhet të jetë moralisht i korruptuar që të lejoj dyfishimin e pikëve dhe rrjedhjen e testit dhe mos të reagoj ose ka frikë nga pushteti dhe heshtë. Ashtu siç e keni pa në publikimet e mia në profilin tim vërehet qartë që ka pas manipulim të pikëve duka u’a dyfishuar pikët 3-4 kandidatëve të cilët në rezultate preliminare kishin nga 21 pikë, pastaj pas publikimit final vërehet që ata kandidatë kanë shkuar mbi 50 apo 60 pikë, e që është indikator i pastërt i ndërhyrjes në teste”, tha Duraku.

“Mos të harrojmë që rezultatet janë publikuar të Premten, ndërsa e drejta e ankesës është vetëm 3 ditë, mirëpo gjatë vikendit administrata e QKUK nuk punon, ndërsa unë dyshoj që kjo është bërë me qëllim në mënyrë që kandidatët mos të kenë qasje në teste”, shtoi ai.

Duraku ka komentuar edhe fotot e këtij konkursi që tashmë janë bërë publike, ku siç thotë ai, në një vend normal, ky konkurs do të duhej të anulohet.

“Në anën tjetër e keni edhe foton e testit aktual i cili ka rrjedhur, e që në një vend normal dhe të drejtë ky konkurs do duhej të anulohet. Nuk e di se a ka pasur monitorim të testimit nga sindikatat, mirëpo ky turp po ndodhë për herën e dytë”, tha Duraku.

“Është evidente që konkursi është manipulu, ndërsa shpresoj që përmes ju mediave të sensibilizohen institucionet relevante dhe t’a hetojnë në mënyrë që të vihet drejtësia në vend për kandidatët tjerë”, përfundon ai për GazetaBlic.

GazetaBlic ka tentuar të marrë përgjigje shtesë edhe nga kryetarja e Odës së Infermierëve, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.