Shqipëria e ka nisur me këmbë të mbarë ciklin e Nations League.
Kuqezinjtë mposhtën në udhëtim Ukrainën me rezultat 1-2, shkruan GazetaBlic Sport.
Shqipëria u gjend në disavantazh me fillim të pjesës së dytë kur Konoplya realizoi për avantazhin e ukrainasve për 1-0 në minutën e 49’të të takimit.
Ismajli u shfaq menjëherë pas pesë minutave për të barazuar shifrat në 1-1, teksa vetëm dy minuta më pas shpëtoi një gol të sigurt nga sulmi i ukrainasve.
Për fitoren e kuqezinjëve u përkujdes Jasir Asani që realizoi gol të bukur pas asistimit të Rey Manaj në minutën e 66’të të takimit.
Pas ndeshjes për media foli, trajneri Sylvinho.
“Është fitore e merituar, është fitore që erdhi pas shumë kohe, kjo ishte ajo që na duhej. Kjo fitore ishte një çelës për vazhdimësinë e fitoreve në Nations League pasi kundërshtarët e tjerë janë poashtu shumë të vështirë, ishim mirë të përgatitur taktikisht dhe e bëmë një ndeshje mjaft të fortë“, tha ai.
/GazetaBlic Sport/