Lajme

Hamza për arsimin: Ndryshimet që i kemi bërë në Mitrovicë mund t’i bëjmë në tërë Kosovën!

09/05/2024 15:26
nga:Y I

Kryetari i Mitrovicës njëherësh kandidat i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ju ka uruar fillimin e vitit të ri shkollor nxënësve dhe prindërve.

Hamza përmes një video në Facebook ka theksuar se gjatë 3 viteve të qeverisjes, arsimin, e kanë trajtuar me prioritet të lartë.

Ai ka rënditur disa nga investimet e realizuara në sektorin e arsimit në Mitrovicë.

“Kemi investuar duke filluar nga arsimi parafillor, fillor dhe i mesëm. Tërësisht e kemi rinovuar çerdhen “Gëzimi Ynë”, ku është një objet i cili ofron kushte me standarte të larta për të gjithë fëmijët. Në shkollat fillore është bërë rinovimi i Shkollës Fillore, “Elena Gjika”, Shkollës Fillore, “Bedri Gjinaj”, Shkollës Fillore ku janë krijuar kushte korrekte për mësim “Eqrem Çabej”, Shkollës Fillore “Andon Zako Çajupi”, Shkollës së Mesme Ekonomike, “Hasan Prishtina”, Shkollës së Mesme të Medicinës “Xheladin Deda”. Janë të ndara mjetet për ndërtimin e Shkollës së Muzikës dhe unë uroj që të përfundojë procedurat dhe të starton ndërtimi i shkollës së re të Muzikës. Rinovimi i tërësishëm i Gjimnazit, “Frang Bardhi”, i Shkollës Fillore, “Migjeni” dhe gjithsej ne i kemi trajtuar deri tani 14 objekte shkollore.  Pres që shumë shpejt të përfundojë edhe çerdhja e fëmijëve në Shipol. Gjithashtu janë të ndara mjetet edhe për tri çerdhe të reja që një do të ndërtohet në Mitrovicë, tek Ura e Gjakut dhe në fshatin Kçiq ” ka thënë Hamza në video raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se është shumë i lumtur për punën e bërë dhe ka thënë se me angazhim dhe përkushtim, një ndryshim i ngjashëm mund ta bëhet në tërë Kosovën.

“Çdo investim në arsim është investim në zhvillimin e gjithanshëm të shtetit tonë. Jam i lumtur që, përkundër kufizimeve dhe pengesave të shumta, ndryshime rrënjësore kemi bërë edhe në sektorin e arsimit në Mitrovicë”

“Ndryshimet që i kemi bërë në Mitrovicë janë shembull i qartë se me angazhim dhe përkushtim mund t’i bëjmë edhe në tërë Kosovën”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.