Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua rreth paralajmërimit për vizitën në Kosovë, nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ai tha se mesazhi i Lajçak do të jetë ai që ka Brukseli, të vazhdojnë negociatat, të ndërpriten veprimet e njëanëshme të Qeverisë dhe të ç’tensionohet situata në veri të vendit.
“Së pari ai është i ngarkuar nga vendet e BE për të ndihmuar negociatat në mes të Kosoves e Serbisë. Së dyti, ai vjen nga një vend me përvojen më të mirë për ndarjen paqësore në mes të Çekisë e Sllovakisë, prandaj edhe Kosova e Serbia do duhej të mësonin e ta praktikonin mënyren se si këto dy vende janë ndarë, por funksionojnë bashkë në NATO e BE. Mesazhi i tij është ai që e ka Brukseli, pra të vazhdojnë negociatat, të çtensionohet situata në veri të Kosovës, të ndërpriten veprimet e njëanëshme të Qeverisë, të ndërpritet përdorimi i policisë për interesa politike. Por, është edhe një problem tjeter, heqja e sanksioneve të BE ndajë Kosovës”, deklaroi ai.
Haliti theksoi se Miroslav Lajçak, duhet pritur si mik e jo ndryshe.
“Lajçak përfaqëson politikat e BE, dhe si i tillë duhet të pritet si mik e asesi ndryshe. Sa më shpejtë që të kuptojmë që ne kemi detyrime ndaj BE , e jo ata ndaj nesh, do i hapim vetes dyertë e Përendimit e BE. Rrugëtimi është i vështirë por jo i paarritshëm”, përfundoi deputeti nga PDK, Xhavit Haliti.
/GazetaBlic/