Lajme

Mësimi tërë ditor në kryeqytet | 30 shtatori i hap edhe tri shkollat e tjera të këtij projekti

09/04/2024 16:53
nga:N K

Që nga e hëna e këtij muaji në Prishtinë ka filluar të mbahet mësimi tërë ditor.

Por, që ky projekt i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës ka filluar të mbahet vetëm në dy shkolla të kryeqytetit, ndërsa me 30 shtator do të fillojnë edhe tri shkollat e tjera.

“Kanë me fillu mësimin tërë ditor me 30 shtator. Plani ka qenë me fillu me dy shkolla sepse bëhët fjalë për mijëra nxënës dhe nuk mundemi me hy me të gjitha shkollat për menjëherë, pra tani kemi filluar me dy dhe 30 shtator me tri të tjera dhe vazhdojnë pesë shkollat”, kështu bënë të ditur për GazetaBlic, drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu.

Lushaku-Sadriu thotë se ky është plan katër vjeçar dhe që pritet që brenda kësaj kohe të bëhen të gjitha shkollat e kryeqytetit.

“Është plan katër vjeçar që do të përfshijë çdo vitë shkolla të reja, që për katër vitet e ardhshme do të bëhet krejt Prishtina”, theksoi ajo.

E, në lidhje më këtë çështje, njohësi i arsimit Argjend Osmani në një prononcim për GazetaBlic, thotë se mësimi tërë ditor gjithnjë shoqërohet me shumë sfida dhe sipas tij është me shumë vështirësi.

“Mësimi tërë ditor, faktikisht është me shumë vështirësi dhe është i përcjellur me sfida të shumëta. Pikë së pari, për shkak të infrastrukturës, por edhe të organizimit të procesit mësimor brenda shkollave”, tha Osmani.

Ani pse edhe kohë më parë janë zhvilluar projekte për mësim tërë ditor, e që të njejtat janë ndërprerë,  Osmani shpreson që kësaj radhe të merret më seriozisht.

“Të  shpresojmë të mirret seriozisht kësaj radhe dhe që së pari të jetë një pilot-projekt i sukseshëm”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Osmani thotë se shpesh projektet e tilla janë të menduara mirë, por që implementimi i tyre në praktikë hasë vështirësi.

“Efekti që do të ketë organizimi i mësimit tërë ditor mbeten të analizohen, mirëpo, duhet të pasur parasysh që shpesh projektet e tilla ambicioze janë të menduara mirë dhe të zbukuruara në letër e që në realitet implementimi praktik i tyre është me shumë vështirësi”, deklaroi ai.

Poashtu, në kontratën e mësimdhënësve parashihet që numri maksimal i tyre për orë mësimore arrinë deri në 20.

E, Osmani për këtë thotë se organizimi i mësimit tërë ditor prap se prap nuk i tejkalon orët e parapara.

“Sa i përket kontratës së mësimdhënësve, natyrisht që ata janë të obliguar që të punojnë 20 orë me nxënës  dhe orët e tjera paguhen për përgatijen e mësimeve, për komunikim me prindër dhe organizim të procesit mësimor. Andaj, edhe vet organizimi i mësimit tërë ditor prap nuk i tejkalon 20 orët për të cilët mësimdhënësit paguhen”, përfundoi ai.

/GazetaBlic/