Transaksionet me dollarë amerikan janë rritur për 71% gjatë vitit të kaluar në Kosovë (2023), në raport me vitin 2021.
Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se vetëm gjatë vitit që lamë pas, pra vitit 2023, transaksionet me dollarë kishin arritur në 3 miliardë e 309 milionë dollarë.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, nga radhët e komisionit për ekonomi, Ferat Shala.
Ai tha se tregtia financiare ndërkombëtare edhe në të kaluarën por edhe tash ka qenë prenzente në tregun e marrëdhënieve, siç tha ai, në atë financiare dollari.
“Në përgjithësi komunikimi financiar ndërkombëtar, gjegjësisht tregtia financiar ndërkombëtare edhe në të kaluarën me një shkallë të caktuar, por edhe tani ka qenë prezente në tregun e marrëdhënieve ndërkombëtare financiare”, deklaroi ai.
Deputeti tutje, tha se edhe në të kaluarën shumë kompani kanë operuar me dollarin, e kjo sipas tij tregon interes dhe hapësirë të lirë në tregun financiar.
“Sigurisht, këto situata variojnë varësisht nga tregjet ndërkombëtare të ekonomisë, por edhe në të kaluarën shumë ndërmarrje dhe kompani kanë operuar me dollarin, kjo tregon interesin dhe hapësirën e lirë të tregut financiar njëkohësisht edhe bizneset e caktuara veqanërisht bizneset e mëdha që bëjnë transaksione financiare e shohin më të sigurt dollarin amerikan”, tha ai.
Shala për ekonominë e vendit, e quajti sinjal stabil dhe përafërim me biznesin amerikan.
“Dhe në këtë relacion unë konsiderojë që për ekonominë e vendit tonë është sinjal stabil, sinjal i përafërimit tonë me biznesin amerikan, me tregtin amerikane, me komunikimin amerikan. Në këtë relacion konsideroj që për Kosovën është pasuri”, përfundoi deputeti nga PDK-ja, Ferat Shala.
/GazetaBlic/


