Shkruan: Dr. Ylli H. Mehmeti
Mjeku, në thelb, është simboli i betejës së përditshme kundër sëmundjes dhe vdekjes. Ai personifikon shpresën dhe përkushtimin për të shpëtuar jetë dhe për të përmirësuar shëndetin e njerëzve.
Që në momentin kur një student vendos të ndjekë fakultetin e mjekësisë, ai përballet me një detyrë kolosale që kërkon jo vetëm inteligjencë , por edhe një disiplinë të hekurt dhe një motivim të pashtershëm. Gjatë viteve të fakultetit, studentët e mjekësisë kalojnë orë të gjata duke studiuar literaturë të gjerë dhe komplekse, ndërkohë që përballen me provime të vështira që kërkojnë një përgatitje intensive. Ata përjetojnë lodhje fizike dhe mendore, pasi orët e gjata të studimit shpesh zëvendësojnë gjumin dhe kohën e lirë.
Pas përfundimit të fakultetit, rrugëtimi i tyre nuk përfundon, përkundrazi, ai vetëm se sapo ka filluar. Specializimi është një etapë tjetër që kërkon përpjekje dhe përkushtim të madh. Kjo periudhë është e mbushur me praktikë klinike, ku të rinjtë mjekë janë të ekspozuar ndaj sfidave reale që përballen pacientët. Ata kalojnë netë pa gjumë në kujdestari, shpeshherë duke sakrifikuar jetën personale për t’u siguruar që pacientët marrin kujdesin më të mirë të mundshëm.
Mundi për të qenë mjek është i jashtëzakonshëm. Për të arritur sukses në këtë fushë, kërkohet një vendosmëri që shkon përtej çdo pengese dhe një dedikim që kapërcen çdo sfidë. Mjekët jo vetëm që përballen me barrën e sëmundjeve dhe të vuajtjeve të pacientëve të tyre, por gjithashtu luftojnë për të ruajtur integritetin e tyre profesional dhe për të ofruar kujdesin më të mirë, pavarësisht sfidave të jashtme.
Në çdo shoqëri të zhvilluar, mjekët shihen si heronj të përditshëm, të cilët, përmes punës së tyre i ofrojnë shoqërisë një shërbim të paçmuar. Ata luftojnë me sëmundje të pashërueshme, përballen me situata emergjente dhe i japin pacientëve të tyre një shans të dytë për jetë.
Megjithatë, në vendin tonë, mjekët shpeshherë trajtohen me mosbesim dhe përçmim. Nuk janë të rralla rastet kur mjekët akuzohën me akuzave të pabazuara , tendencioze, dhunë fizike dhe psiqike, apo kur detyrohen të përballen me burokraci të pakuptimtë siç është rasti me dekalrimin e pasurisë. Procesi i deklarimit të pasurisë ka sens në profesione ku ka mundësi shperdorimi të parasë publike e jo të profesioni i mjekut . Kjo formë e presionit dhe shantazhit është një mosvlersim dhe ofendim që i bëhet figurës së mjekut nga vetë shteti. Trajtimi i tyre si të dyshuar për korrupsion apo përfitime të jashtëligjshme është jo vetëm turp, por edhe një goditje ndaj integritetit të tyre profesional. Në botën demokratike deklaimin i pasurisë për mjekë nuk diskutohet bile trajtohët si një absurbitet i përmasave idiote.
Kur ligjet dhe rregulloret shtetërore i detyrojnë mjekët të deklarojnë pasurinë, qytetarët shpesh e interpretojnë këtë si një shenjë se mjekët kanë diçka për të fshehur ose janë të përfshirë në aktivitete të paligjshme. Ky perceptim i gabuar ka pasoja serioze për mjekët dhe për shërbimin shëndetësor në tërësi. Disa qytetarë, të ushqyer me idenë se mjekët janë të korruptuar ose të pandershëm, ndihen të justifikuar për të ushtruar dhunë ndaj tyre për të marrë shërbimin e nevojshëm. Kjo sjellje është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj narrativës së ndërtuar nga shteti dhe ndihmon në krijimin e një mjedisi të pasigurt pune për mjekët, ku ata përballen jo vetëm me sfidat e profesionit të tyre, por edhe me kërcënimet e vazhdueshme të dhunës fizike dhe verbale.
William Osler, një nga themeluesit e mjekësisë moderne thotë : “Një mjek është njeriu më i xhelozuar nga shoqëria, sepse ai ka atë që shumë dëshirojnë – fuqinë për të shpëtuar jetë.”
Kjo thënje e z. Osler i përshtatet thaujse pikë për pikë Kosovës, ku figura e mjekut shpesh perceptohet gabimisht dhe padrejtësisht si armik, jo vetëm nga pacientët, por edhe në sfera të tjera të jetës publike dhe institucionale.
Ky fenomen i përhapur, ku mjekët shihen si armiq, është një simptomë e një kulture që thellë është e zhytur në inatit dhe xhelozi. Kjo xhelozi ka rrënjë në perceptimin e gabuar se mjekët fitojnë para në mënyrë të lehtë, duke injoruar sakrificat dhe përkushtimin që ky profesion kërkon. Shumë njerëz nuk e kuptojnë se të jesh mjek do të thotë të përballesh me përgjegjësi të madhe, orë të gjata pune dhe një stres të vazhdueshëm.
Në këtë atmosferë të mllefosur ndaj mjekut, qeveria duket se po i shton edhe më shumë zjarrin me politikat e saj selektive që i adresojnë vetëm shëndetësisë. Mjeku, që në thelb duhet të shihet si një profesion fisnik e i nderuar, po trajtohet padrejtësisht si një figurë që vjedh. Kjo narrativë është e rrezikshme dhe e padrejtë, pasi injoron sakrificat dhe përkushtimin e madh që mjekët bëjnë për të shpëtuar jetë çdo ditë.
Komuniteti i mjekëve nuk duhët të qëndroj indiferent por duhet të organizohen dhe të kërkojnë amendamentimin e ligjeve që kanë të bëjnë me ngritjën e sigurisë së tyre gjatë orarit zyrtar. Legjislacioni aktual duhet të përmirësohet për të siguruar mbrojtje më të fortë ligjore ndaj çdo forme dhune që mund të ushtrohet ndaj mjekëve. Është e domosdoshme që masat ndëshkuese të ashpërsohen ndaj personave që kryejnë sulme verbale, fizike apo të çfarëdo forme tjetër ndaj mjekëve, duke e bërë të qartë se dhuna nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë.
Duke forcuar mbrojtjen me ligj të mjekëve, ne jo vetëm që mbrojmë ata si individë, por gjithashtu dërgojmë një mesazh të qartë që shoqëria jonë vlerëson dhe respekton përpjekjet e tyre të përditshme. Ky respekt dhe ndjeshmëri janë të domosdoshme për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm.
Si përfundim , mjekët nuk janë armiqtë e shoqërisë, por heronjtë e saj të heshtur. Një shoqëri që i vlerëson mjekët e saj, është një shoqëri që vlerëson jetën dhe mirëqenien e anëtarëve të saj. Le të shpresojmë që një ditë kjo qasje do të ndryshoj për ne .