Ditë më parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit përmes platformës e-Kosova ka hapur aplikimin për të gjithë ata mësimdhënës që dëshirojnë të pajisen me licenca të avancuara.
I gjithë ky proces është paraparë që të fillojë në muajin qershor, por, si duket është vonuar për dy muaj.
Si ligji ashtu edhe licencat e avancuara parashohin që mësimdhënësit që marrin licenca të tilla të kenë rritje edhe në paga, por, shkaku i vonesës së aplikimit nuk do të ketë rritje.
Ish-zëvëndësministri i Arsimit Dukagjin Pupovci në një prononcim dhënë për GazetaBlic, tha se asnjë mësimdhënës që ka dëshirë të marrë licencën e avancuar nuk duhet të ketë frikë nga testimi, që sipas tij mosrespektimi i një testimi të tillë mund të jetë kompleksë duke përfunduar në Inspektoratin e Arsimit.
“Me rastin e aplikimit për licencë të avancuar, si hap i parë, parashihet një provim kualifikues për të demonstruar se mësimdhënësi i plotëson parakushtet për hyrë në fazën e vlerësimit. Këtu nuk ka asgjë kontestuese dhe asnjë mësimdhënës që pretendon për ta marrë licencën e avancuar nuk duhet të frikësohet nga ky provim, sepse mëpastaj e pret një formë tjetër po aq komplekse e vlerësimit – vlerësimi i performancës nga ana e Inspektoratit të Arsimit”, u shpreh Pupovci.
Që sipas Pupovcit, për të gjithë ata që fitojnë licencën e avancuar është një hapë i rëndësishëm si në përmbushjen personale dhe profesionale.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari u shpreh se e kanë mirëpritur lajmin që nga qershori i vitit të kaluar do të fillohet me procedurat për të kaluar mësimdhënësit e Kosovës nga licenca e punës në licenca të tjera.
Jashari, rikujton deklaratat e MASHTI-t, duke thënë se duhet të ketë dallim në paga, e në qoftë se nuk ka, ai shprehet se mund të ketë zbehje dhe do të humb interesimi i mësimdhënësve për këtë proces.
“Në deklaratat e dikurshme të MASHTI-t është thënë se për t’i nxitur këtë proces, qeveria gjithësisht MASHTI duhet të sigurojë mjete që këta mësimdhënës që kalojnë me sukses nga licenca e punës në licecën e avancuar të kenë dallim në paga. Në qoftë se MASHTI nuk arrinë ta realizojë këtë për mësimdhënësit që gradohen të mbesin me pagat e njejta, atëherë efekti do t’i humb, do të zbehet dhe nuk do të ketë shumë vullnet për këtë proces. Pra, fillimisht është dashur të sigurohen mjetet e e mjaftueshme në mënyrë që mësimdhënësit që i kalojnë me sukses këto kritere që i ka caktuar MASHTI edhe të shpërblehen”, theksoi Jashari.
Poashtu, tutje shton se si sindikatë e kundërshtojnë ndonjë tendencë nëse lind që tërë puntorët e arsimit të hynë në test për t’i parë njohurit e tyre.
“Nuk do të ketë tekst me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve për ata që dëshirojnë të mbetën me licencën e punës, ata që dëshirojnë të avancohen vullnetarisht do t’i shohin kriteret që parashihen”, tha ai.
Ndërkaq, Argjend Osmani, njohës i arsimit shprehet kundër një testimi të tillë, dhe thotë se nëse ndodhë ky testim, atëherë bie ndesh me kualifikimet e MASHTI-t.
“Nëse mendohet që në këtë formë të testimit që është duke u paalajmëruar që mësidhënësit të futën në teste të caktuara për tu matur kompetencat e tyre apo shkathtësit e tyre,atëherë mendoj se kjo bie ndesh me kualifikimet që ata kanë dhe nëse kështu vazhdohet atëherë ne do të duhet të fusim në testim nga ministri e të gjithë zyrtarët tjerë që janë në system të arsimit. Pra, në fakt unë jam kundër një testimi klasik por që jam për të ju ofruar mundësi të mira të ngritjes profesionale dhe ngritjes së shkathtësive të mësimdhënsve”, potencoi Osmani për GazetaBlic.


