Zyrtarisht kemi hyrë në muajin shtator dhe pushimet kanë përfunduar edhe për politikën. Të parët që do t’i rikthehen me forca të plota aktiviteteve janë socialistët, në një mbledhje që do të zgjasë përreth 7 orë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vendosur ta mbledhë këtë të dielë në Dajt qeverinë, drejtuesit e organeve të varësisë dhe kryebashkiakët e majtë, në takimin që nisi nga ora 10:00 dhe do të përfundojë në 18:00, raporton A2.
Përgatitjet për sesionin e ri parlamentar dhe një analizë e punës së bërë përgjatë 8 muajve nga socialistët në pushtet pritet të jenë në fokusin e mbledhjes.
Shtatori për socialistët, do të nisë kështu me llogaridhënie si brenda qeverisë ashtu edhe partisë, pasi mbledhjen e sotme të qeverisë do ta pasojë një mbledhjes më 8 shtator në Durrës e Asamblesë së re të dalë nga Kongresi i 28 korrikut.


