Lajme

Hipokrizia e VV-së / Anëtarët e saj në KQZ e votuan Rregulloren për Votim Jashtë Kosovës, tani ankohen në PZAP pasi KQZ e zbatoi atë

08/31/2024 20:01
nga:Gazeta Blic

Vetëm dy ditë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi listën e qendrave të votimit jashtë Kosovës dhe numrin e votuesve në secilën prej tyre, partia në pushtet, Lëvizja Vetëevendosje është ankuar kundër këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Vetëvendosje ka kërkuar nga PZAP-i që ta shpallë të pavlefshëm vendimin e KQZ-së, “duke e hequr kufizimin e numrit maksimal të votuesve në qendrat e votimit jashtë Kosovës dhe të nxjerrë vendim meritor, të arsyetuar në lidhje me këtë çështje në bashkëpunim me MPJD”.

Por, Gazeta Blic ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së të mbajtur me 21.08.2024 ku është miratuar Rregullorja Nr. 17/2024 Regjistrimi dhe Votimi Jashtë Kosovës.

Kjo Rregullore, sipas procesverbalit të KQZ-së është miratuar me të gjitha votat për të anëtarëve prezentë në momentin e votimit, pra 10 anëtarëve. Në mesin e 10 anëatrëve që kanë votuar për, janë edhe dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.

Rregullorja e KQZ-së për Votim Jashtë Kosovës parasheh që numri maksimal i votuesve për secilën përfaqësi diplomatike të caktuar si qendër votimi të përcaktohet nga KQZ që kjo të bëhet në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim.

“Në bazë të vlerësimit të kapaciteteve për votim në përfaqësi diplomatike, KQZ përcakton numrin maksimal të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike, të caktuar si qendër votimi”, thuhet në paragrafin 7 të nenit 3 të kësaj rregulloreje.

Me 29 gusht, duke u mbështetur në këtë rregullore, por edhe në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, KQZ ka caktuar numrin maksimal të votuesve që mund të votojnë në secilën përfaqësi diplomatike.

Sipas KQZ-së, ky numër është 1,000 votues në 1 vendvotim, çka do të thotë se numri maksimal i votuesve që do të mund të votojnë në ambasada dhe konsullata është 47,000, pasi që është vendosur se do të hapen 47 vendvotime.

Sipas KQZ-së, caktimi i numrit të vendvotimeve dhe numrit të votuesve për secilën përfaqësi diplomatike mbi të gjitha është obligim ligjor me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Në nenin 96, pagrafi 8 i këtij ligji, “KQZ-ja, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, vlerëson hapësirat fizike për secilën përfaqësi diplomatike dhe, në përputhje me kriteret e përcaktuara, merr vendim për numrin e vendvotimeve dhe për numrin e votuesve për secilën përfaqësi diplomatike. Jo më vonë se pesë (5) ditë nga dita e shpalljes së datës së zgjedhjeve, KQZ kërkon nga MPJ, listën e të gjitha përfaqësive diplomatike, bashkë me detajet e nevojshme mbi hapësirën e objekteve. Ministria e Punëve të Jashtme obligohet që t’i ofrojë KQZ-së të gjitha informacionet e kërkuara brenda tre (3) ditë, nga dita e pranimit të kërkesës. MPJ përshtat hapësirat e objekteve të përfaqësive diplomatike në vendvotime sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ”.

Në vazhdim e gjeni procesverbalin e plotë: