Lajme

Kurti priti në takim Sarrazinin, folën për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit

08/29/2024 21:49
nga:Sh R

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në këtë takim ata kanë biseduar për progresin në zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit në Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe pritjet nga samiti i radhës që në 10-vjetorin e tij do të mbahet në Berlin.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin të shoqëruar nga Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde”.

“Kryeministri theksoi që në kohën kur në rajon shtyheshin platforma të tjera paralele, Kosova është angazhuar plotësisht në Procesin e Berlinit duke kërkuar ri-energjizimin dhe fuqizimin e tij si një platformë që ofron barazi dhe përshpejton procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet që duan të anëtarësohen”, thuhet në komunikatë.

“Është e rëndësishme që para samitit të radhës të arrijmë jo vetëm marrëveshje të reja por edhe të sigurojmë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë kemi nënshkruar”, ka thënë Kurti, duke e falënderuar Sarrazin për kontributin dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal.