Lajme

Deputeti i VV-së: Rritja e pagave do të siguroj një nivel më të mirë të jetesës – Kjo duhet të shihet vetëm si një fillim

08/28/2024 22:16
nga:Sh R

Qeveria e Kosovës ka vendosur që paga minimale të rritet në 350 euro bruto.

Këtë deputeti nga Lëvizja Vetvendosje, Gramos Agusholli, e sheh si një hap të rëndësishëm pasi sipas tij ka kaluar një periudhë e gjatë pa përjetuar rritje të tillë të pagave, ku shton se kjo ka ndikuar shumë në standardin e jetesës së qytetarëve tanë.

Agusholli në një prononcim për GazetaBlic, thotë se kjo rritje do të siguroj një nivel më të mirë të jetesës dhe do të lehtësoj përballjen me rritjen e çmimeve dhe inflacionin global.

“Konsideroj se ky është një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nuk duhet të mjaftohemi me kaq. Kemi kaluar një periudhë të gjatë pa përjetuar rritje të tilla të pagave, dhe kjo ka ndikuar shumë në standardin e jetesës së qytetarëve tanë. Rritja e pagave jo vetëm që do të lehtësojë përballjen me rritjen e çmimeve dhe inflacionin global, por edhe do të sigurojë një nivel më të mirë jetese. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësinë të përballen më me dinjitet me sfidat ekonomike të kohës”, tha ai.

Tutje, thotë se kjo duhet të shihet vetëm si një fillim pasi që duhet të merren edhe hapa të mëtejshëm për të përmirësuar kushtet e jetësës dhe të punës për të gjithë.

“Gjithashtu, një rritje e tillë është një hap drejt drejtësisë dhe barazisë për punëtorët, të cilët meritojnë shumë më shumë. Megjithatë, kjo duhet të shihet vetëm si një fillim. Duhet të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës për të gjithë, duke u siguruar që përfitimet ekonomike të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme në të gjithë shoqërinë”, përfundoi Agusholli për GazetaBlic.

Rritja e pagës minimale, Humolli: Pasi ka lëvizje në fund të mandatit është mirë që zgjedhjet të mbahen çdo vit

Rritja e pagës minimale, Pacolli: Kjo është një tallje me qytetarët e Kosovës