Atk përmes një njoftimi në Facebook ka apeluar që të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura në Kosovë nga aktiviteti i tyre si “freelancer”, janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimin sipas legjislacionin tatimor të Kosovës.
Kjo është komunikata e plotë:
Punonjësit e pavarur, të njohur si “freelancers” janë profesionistët e pavarur, të cilët janë individë (të vetëpunësuar) që realizojnë të ardhura në bazë të punës, zakonisht për punë afatshkurtër si kontraktues të pavarur dhe trajtohen si të tillë për qëllime tatimore.
Freelancerët nuk janë të punësuar në mënyrë të rregullt nga një kompani ose organizatë, por punojnë në bazë të projekteve, duke marrë kontrata të ndryshme me klientë të ndryshëm. Punojnë në mënyrë të pavarur, me fleksibilitet të lartë në oraret e punës dhe mund të punojnë për klientë në tregun vendor ose ndërkombëtar, ndërkaq zakonisht nuk gëzojnë përfitime të kontributeve të ndryshme.
Këta persona janë zakonisht profesionistë të specializuar në kryerjen e detyrave të caktuara, siç mund të jenë: specialistët e TI-së, inxhinierët, mjekët, financierët, avokatët, gazetarët, projektuesit, arkitektët, artistët, përkthyesit, zejtarët, etj.
E, a paguajnë tatim freelancers?
Pyetja ma e shpesht ⁉️
Të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura në Kosove nga aktiviteti i tyre si “freelancer”, janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimin sipas legjislacionin tatimor të Kosovës.
Shembull:
Kur shërbimet si “ freelancer” ofrohen si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga subjektet vendore, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosove dhe kur punëdhënësi është jashtë Kosovës, personi obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional.
Deklarimi dhe pagesa e këtyre të ardhurave mund të bëhet me deklaratën vjetore. Apo në baza mujore mundësohet deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga dhe kontribute pensionale për personat të cilët deklarojnë dhe paguajnë vetë tatimin dhe kontributin pensional.
Kur shërbimet si “freelancer” konsiderohen aktivitete ekonomike të pavarura atëherë aktiviteti kërkohet të regjistrohet përmes ARBK, dhe për të ardhurat e krijuara si biznes i regjistruar në Kosovë, deklarimi dhe pagesa i nënshtrohet rregullave për pagesë, si të ardhura nga shërbimet me normën 9% në qarkullimin bruto apo sipas rregullave ligjore për të ardhura reale.
Ky njoftim nga ATK, sipas ekspertit të rrjeteve sociale do të ketë vështirësi për përcjelljen e aktiviteteve të këtyre dy kategorive, përshkak të shumicës së “Freelancer” dhe “Influencers” të cilët i realizojnë të ardhurat e tyre tek dikush i afërm në shtete të tjera.
Ndërsa për mos pagesen e këtij tatimi në Kosovë, në një prononcim dhënë për GazetaBlic, eksperti i rrjeteve sociale Valon Kerolli thekson se në të gjithë botën kjo kategori paguan tatim dhe nuk pritet ndonjë ndryshim në vendin tonë.
“Është normale kur nuk ke paguar tatime për një kohë të gjatë që për këto kategori të njerëzve të duket e vështirë, por meqenëse në të gjithë botën tatohen, këto kategori nuk ka pse në Kosovë të jetë ndryshe”, tha ai.
Sa i përket përcjelljeve të aktiviteteve të “Freelanceer” dhe “Influencers”, Kerolli ndër të tjerash thotë se institucionet në Kosovë do të kenë ngecje në përcjelljen e këtyre aktiviteteve përshkak të deklarimit të ardhurave të tyre tek dikush i afërm në shtete të tjera.
Ai gjithashtu përmend edhe kompanitë e shërbimeve të pagesave në mënyrë digjitale.
“Autoritetet në Kosovë do të kenë shum të vështirë të përcjellin aktivitetin e personave nga këto kategori, sepse shumica prej tyre i realizojnë të ardhurat e tyre tek dikush i afërm në shtete të tjera, në kompanitë e shërbimeve të pagesave online siç janë Paypal, Payoneer, Wise, Skrill e të tjera apo edhe cash”, thekson eksperti i rrjeteve sociale.
Kerolli tutje thotë se autoritetet e Kosovës duhet të punojnë dhe ndihmojnë këtë kategori për ti marrur të ardhurat në vendin e tyre.
“Paralelisht me punën për ta bërë këtë ligj madje ndoshta edhe para kësaj autoritetet është dashur që të punojnë dhe ndihmojnë këto kategori duke lobuar e mundësuar që këto kategori t’i marrin të ardhurat e tyre në Kosovë, sepse shumica prej kompanive të rrjeteve sociale në botë, por edhe atyre kompanive që kryejnë shërbime të pagesave online nuk e mundësojnë një gjë të tillë në Kosovë”, potencon Kerolli për GazetaBlic.
Sipas Kerollit shteti i Kosovës duhet ta ketë primare ndihmesën për çdo kategori dhe tutje të ketë tatimin.
“Për mendimin tim shteti i Kosovës, duhet që primare të ketë ndihmën për secilën kategori e më pastaj tatimin e tyre”, përfundoi Valon Kerolli.
/GazetaBlic/