Ish-deputeti i VV’së, Fatmir Humolli thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta hapë urën mbi lumin Ibër.
Humolli në një përgjigje dhënë për GazetaBlic thekson se, hapja e kësaj ure duhet të bëhet me veprime taktike që nuk përfshijnë presion emocional.
Sipas Humollit, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, e ka dobësuar Kosovën, pasi sipas tij, ka krijuar konflikte të brendshme duke mos-ndihmuar në ekonominë e vendit.
Deklarata e plotë e Fatmir Humollit dhënë për GazetaBlic:
Kundërthëniet brenda NATO-s kanë qenë të mëdha para, gjatë dhe pas luftës për Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Lufta politiko-ushtarake e Kosovës krijoi mundësi për miqtë tanë brenda NATO-s që të ishin më të fuqishëm përballë miqve të Serbisë. Serbët i dijnë mirë këto kundërthënie sepse kanë institucione që ndihmojnë klasën politike serbe për të shfrytëzuar maksimalisht çdo mundësi dhe për të paraqitur veten si viktima.
Ata janë të trajnuar për të vepruar si artistë në role që u mësojnë institucionet. Lufta e armatosur, marshimi për Mitrovicën dhe protesta e marsit 2004 vulosën që Kosova nuk mund të jetë pjesë e Serbisë. Institucionet tona nuk ishin në nivelin e duhur për të parë drejt situatën dhe ishte e nevojshme të bëheshin sakrifica për të shtyrë procesin drejt të drejtës. Rusia dhe aleatët e Serbisë brenda NATO-s janë në koordinim në interes të shovinizmit serbo-sllav.
Nuk është befasi që rusët dhe Makroni (edhe pse nuk u arrestua Radojiçiqi) shkuan në Beograd pas vizitës së diplomatit amerikan. Qeveria duhet të hapë urën, por veprimi taktik për hapjen e saj nuk duhet të jetë rezultat i presionit emocional, por një nevojë politike për të larguar Rusinë dhe aleatët e Serbisë nga Kosova ose për t’i mbajtur ata në kufi me Kosovën, dhe jo brenda saj.
Deri tani, qeveria ka dobësuar Kosovën duke krijuar konflikte të brendshme dhe duke mos ndihmuar në forcimin e fuqisë ekonomike dhe financiare të vendit. Qeveria është nën ndikimin e luftës speciale që Serbia po zhvillon në Kosovë, duke goditur vlerat më krijuese të vendit.
Besoj që kryeministri do të vlerësojë situatën në shumë drejtime dhe do të bëjë veprimin e duhur, sepse në veri të Kosovës ka pasur sukses vetëm duke kuptuar se populli ynë është faktor i rëndësishëm. Nuk duhet të gabojmë duke e nënvlerësuar popullin tonë dhe vlerat e tij, pasi kjo dëmton procesin i cili është i pandalshëm për mirëqenien e kombit tonë.
/GazetaBlic/
Heshtja për hapjen e urës, Izmaku: Qeveria dështoi, gjërat ndryshuan pas vizitës së shefit të CIA-s
Kelmendi: Qeveria ka marrë urdhër, po i ikë hapjes së urës mbi lumin Ibër


