Njohësi i arsimit, Samir Shahini, ka folur në lidhje me rezultatet e afatit të parë të testit të Maturës.
Ai në një përgjigje për GazetaBlic ka theksuar se në Kosovë ndër vite ka luhatje të mëdha me përqindje të kalueshmërisë së testit të maturës në afat të parë.
“Ndër vite kemi luhatje të mëdha me % të kalueshmërisë së testit e matures në afatin e parë. Derisa në vitin 2022 për shembull kalueshmeria ishte 78%, në 2023 ajo ka rënie në 68%, e këtë vit u ngrit në 73%. Edhe nëse kthehemi mbrapa në kohe kemi luhatje të tilla në %, gjë që tregon se testi i maturës nuk ka një rregullim apo përmisim sistemik në organizim, hartim dhe ekzekutim të tij. Në anën tjetër, ky test shoqërohet me kopjime të shumta nga nxenësit, gjë për të cilën nuk është bërë thuajse asgjë që të evitohet si dukuri”, tha ai për GazetaBlic.

Shahini thotë se ky test duhet të jetë prioritet për Ministrinë e Arsimit.
“Konsideroj qe ky test duhet të hynë në grupin e top prioriteteve për Ministrinë e Arsimit, e të reformohet me urgjencë bashkë me shumë elemente tjera të arsimit para universitare”, potencon njohësi i arsimit.
Sipas tij, një ndër problematikat kryesore është lënda e matematikës.
“Kalueshmeria e ulët në lënden e matematikës dhe në lëndë shkencore në testin e matures, së bashku me rezultatet e PISA-s flasin mjaftueshem për gjendjen e rëndë në arsimin parauniversitar në Kosovë”, përfundoi Samir Shahini.
Në lidhje me këtë çështje është deklaruar edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja, i cili për GazetaBlic deklaron se numri i maturantëve në këtë vit që kanë kaluar testin e maturës ka të njëjtin nivel sikurse në vitet paraprake.
“Numri i maturantëve që këtë vit kaluan testin e maturës ka të njëjtin trend sikurse niveli i kalueshëmrisë në vitet paraprake. Nuk ka ndonjë dallim subvencial dhe kjo për arsyjen e një mungese të ndryshimeve në administrim të këtij testimi i cili në përgjithësi na sjellë të njëjtin rezultat nga viti në vit pa ndonjë besueshmëri dhe validitet të mjaftueshëm statistikorë, që do të na garantonte një filtrim të maturantëve”, përfundoi Rinor Qehaja./GazetaBlic/



