Lajme

Takimi i shefit të CIA-s me Kurtin| Maliqi: Qeveria duhet të kuptojë se aleati dhe mbështetësi ynë kryesor është SHBA-ja

08/23/2024 14:09
nga:N K

Gazetarja dhe analistja politike, Afërdita Maliqi, në një prononcim për ‘GazetaBlic’, ka komentuar vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë, ku sipas saj kjo qeveri aktuale duhet të kuptojë se aleati dhe mbështetësi kryesor i Kosovës është SHBA-ja.

“Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë është e para në rang të tillë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe kjo tregon se është vizitë shumë e rëndësishme”, tha ajo.

Diskutimi për luftën nga qeveria sipas analistes politike njëherish edhe gazetare, ka krijuar një ambient toksik. Ndërkohë sipas saj, ka pasur një injorim të vazhdueshëm të kërkesave amerikane për situatën në Veri nga kryeministi Kurti.

“Duke pasur parasysh që ka një kohë që është krijuar një ambient toksik, ku nga vetë Qeveria është folur vazhdimisht për luftën, pastaj ka pasur një injorim të vazhdueshëm të kërkesave amerikane për situatën në Veri nga kryeministi Kurti, konsideroj se kjo vizitë dhe ky takim do të kenë mesazhe të qarta për Qeverinë tonë karshi situatës së sigurisë dhe që është koha e fundit që Kurti njëherë e përgjithmonë duhet ta kuptojë se bashkëpunimi dhe bashkërendimi me aleatët tonë, sidomos Amerikën, është qenësor”, potencon Maliqi për GazetaBlic.

Sipas analistes politike, deklarimi i fundit i ambasadorit amerikan Hovenier i cili ka thënë se “Mund të rrezikohen ushtarët amerikanë nëse hapet Ura e Ibrit dhe që kjo qeveri po lëkundet marrëdhëniet dy palëshe”, është dashtur të mirret seriozisht kohë më parë nga qeveria aktuale.

“Deklarimet e fundit të ambasadorit amerikan Hovenier se ” mund të rrezikohen ushtarët amerikanë nëse hapet ura e Ibrit dhe që kjo qeveri po lëkundet marrëdhëniet dy palëshe”, është dashur të merren me kohë seriozisht. Kryeministri Kurti dhe kjo qeveri duhet ta kuptojë se aleati dhe mbështetësi ynë kryesor në gjithë rrugëtimin tonë kanë qenë SHBA-të dhe është absurde të mendohet të merren vendime të rëndësishme, kur nuk ke mbështetjen amerikane”, përfundoi Afërdita Maliqi.

/GazetaBlic/